Për një menaxhim më të efektshëm të risqeve fiskale

30/01/2016 00:00

Bujar Leskaj – Si përkufizim, menaxhimi i riskut fiskal është procesi i identifikimit, vlerësimit, kontrollit dhe monitorimit të atyre ngjarjeve ose situatave fiskale, potencialisht të dëmshme për arritjen e objektivave të shëndoshjes së financave publike dhe konsolidimit të tyre dhe konceptohet si një plan veprimesh për të dhënë garanci të arsyeshme se këto objektiva do të arrihen.

Në raportin e tij “Country Report” Nr. 16/5 “Për Vlerësimin e Transparencës Fiskale të Shqipërisë” të janarit 2016 (IMF “Albania Fiscal Transparency Evaluation”, January 2016, https://www.imf.org/external/pubs/ft/scr/2016/cr1605.pdf), Fondi Monetar Ndërkombëtar jep një pasqyrë të financave publike dhe menaxhimit fiskal tek ne, të cilën duhet ta lexojmë si duhet dhe të reflektojmë të gjithë.

Por çfarë thotë ky institucion ndërkombëtar me reputacion, me të cilin kemi marrëveshje të mbështetjes financiare të politikave tona buxhetore për një periudhë afatmesme dhe në nivele qindra miliona eurosh? Ekspertët e Fondit ngrenë shqetësimin se gjatë dekadës së fundit, buxhetet e qeverisë kanë parashikuar të ardhura mesatare të mbivlerësuara me 2 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit çdo vit, pra me mbi 180 milionë euro.

“Kjo, – thotë FMN- ka inkurajuar plane jorealiste shpenzimesh që qeverisë i është dashur t’i shkurtojë gjatë vitit. Nuk ka këshill fiskal të pavarur që të vlerësojë parashikimet e qeverisë dhe qeveria nuk shpjegon se pse çdo parashikim i ri ndryshon nga i mëparshmi. Qeveria madje as edhe nuk i krahason parashikimet e saj me ato të institucioneve të tjera, ose me të ardhurat aktuale. Problemi i parashikimeve jorealiste minon atë që ndryshe duhet të jetë një sistem transparent dhe efektiv i buxhetimit dhe i planifikimit afatmesëm fiskal (IMF ‘Albania Fiscal Transparency Evaluation’, January 2016, fq. 5-6, https://www.imf.org/external/pubs/ft/scr/2016/cr1605.pdf)”.

FMN, ndër të tjera, konkludon se, si rezultat, buxheti i miratuar shpesh është ulur ndjeshëm gjatë vitit, për shkak të mungesës së të ardhurave, duke minuar besueshmërinë e tij. Besueshmëria e një Buxheti Shteti është karakteristika më e vyer e tij. Kjo, pse Buxheti i Shtetit përfaqëson një kontratë midis qytetarëve dhe qeverisë, besueshmëria e të cilit bazohet mbi qëndrueshmërinë e tij.

Praktika tregon se gjatë dekadave të fundit, shumë qeveri, nën orientimin e ekspertëve të FMN-së, kanë krijuar kuadrin ligjor për të promovuar përgjegjësinë fiskale dhe për të rritur besueshmërinë e buxhetit të tyre. Risitë kryesore të këtij ndryshimi të thellë përfshijnë ndër të tjera rregulla të reja ligjore për përgjegjësinë fiskale, rregulla fiskale të buxhetimit afatmesëm, raportimin dhe kontabilitetin aktual (rritës), buxhetimin e performancës, këshillat fiskale dhe teknikat e reja të menaxhimit të riskut.

Mendoj se është koha që edhe qeveria jonë të pozicionohet konkretisht në këtë tendencë. Me dokumente afatmesëm, ajo tashmë e ka bërë, duke miratuar Strategjinë e Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020, por ndërkohë, në këta dy vitet e fundit 2014-2015, respektimi i objektivave të vendosura në këtë Strategji ka lënë për të dëshiruar.

Si Kontroll i Lartë i Shtetit, në raportimin tonë për realizimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2014 në tetor 2015 në Kuvend, kemi vërejtur se ndryshimet që reflektohen nga miratimi i Akteve Normative në buxhetin tonë të Shtetit, cenojnë këtë aspekt të rëndësishëm të tij, pra kredibilitetin, në bazë dhe të parimeve të OECD-së dhe Kodit të Transparencës Fiskale të FMN-së.

Shkak i këtyre ndërhyrjeve është praktika e programimit me terma tejet optimiste dhe një proces jo i kujdesshëm, pa monitorimin e duhur nga strukturat në qendër dhe në bazë. Ndryshimi në zërat buxhetorë, niveli i lartë i detyrimeve si dhe mundësia e qeverisë për të shkurtuar zëra të caktuar janë tregues të kredibilitetit të ulët.

Sot, më shumë se kurrë, duke parë përshkallëzimin në rritje të borxhit publik dhe vështirësitë për të mbajtur nën kontroll deficitin buxhetor, kemi nevojë për rregulla fiskale që të minimizojnë risqet përkatëse, duke përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien qeveritare, si dhe duke e angazhuar veten me objektiva të një politike fiskale të qartë, e cila mund të monitorohet nëpërmjet kritereve të rrepta të raportimit dhe publikimit transparent.

Gjykojmë se e gjithë kjo ngrehinë nuk mund t’i lihet mbi shpatulla një dikasteri dhe një njeriu të vetëm, ministrit të Financave, por procesi kërkon angazhimin e shumë strukturave publike me ekspertizën e duhur, si dhe të shoqërisë civile dhe të donatorëve.

Përdorimi i planifikimit buxhetor afatmesëm ka nxitur një qasje më të disiplinuar për buxhetimin dhe i ka detyruar qeveritë të shohin përtej horizontit tradicional të buxhetit të një viti, si dhe të planifikojnë kostot e ardhshme të politikave të reja. Në raportin e tij të janarit 2016, FMN jep katër rekomandime shumë të rëndësishme. Ai shprehet se qeveria duhet të:

a) përfshijë një bilanc të pjesshëm në raportimet fiskale, së bashku me tabelat që përputhin ndryshimet në borxhin publik me deficitin buxhetor dhe ndryshimet në bilancet në para kesh dhe në flukset në kesh;

b) të thjeshtojë raportimet fiskale duke prodhuar një set të vetëm raportesh mujore, tremujore dhe vjetore që përfshijnë informacionin që sot raportohet veç nga Thesari i Shtetit, Departamenti i Borxhit, Departamenti i Buxhetit dhe Departamenti i Makroekonomisë;

c) të publikojë një raport vjetor mbi shpenzimet në taksa që të vlerësojë të ardhurat e munguara nga të gjitha përjashtimet e mëdha nga taksat dhe privilegjet e tjera tatimore;

d) të rrisë këqyrjen e parashikimeve të saj makroekonomike dhe fiskale, duke i krahasuar ato publikisht me ato të institucioneve të tjera, duke përshtatur parashikimet e reja me ato të mëparshmet dhe me të ardhurat aktuale, si dhe të konsiderojë për të themeluar një këshill fiskal të pavarur (IMF “Albania Fiscal Transparency Evaluation”, January 2016, fq. 8, https://www.imf.org/external/pubs/ft/scr/2016/cr1605.pdf)”.

Në raportin për zbatimin e buxhetit të konsoliduar të Shtetit për vitin 2013, një nga propozimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i përsëritur dhe në raportimin për Buxhetin faktik 2014 në tetor 2015, ishte pikërisht ngritja e një këshilli të pavarur fiskal edhe te ne.

Ky institucion nevojitet të funksionojë i pavarur nga qeveria dhe të jetë nën kontrollin e Kuvendit, të cilit duhet t’i raportojë periodikisht. Kemi shumë personalitete vendase të financave publike dhe kontabilitetit, të cilët mund të përbënin bërthamën shkencore të kësaj strukture të re, krahas thirrjes në ndihmë dhe të ekspertëve të huaj.

Praktika e deritanishme në shumë vende të Europës dhe më gjerë ka treguar efektshmërinë e pranisë së këtyre këshillave të pavarur në mbajtjen e qeverive të përgjegjshme për angazhimet dhe politikat e tyre buxhetore, si dhe në kuadrimin e objektivave të politikave qeveritare me fondet buxhetore në dispozicion, pa dëmtuar treguesit kryesorë makroekonomikë.

Në 2014-n, ekzistonin 47 këshilla të pavarura fiskalë në 25 vende të BE-së, nga 43 që ishin në vitin 2013. Në Spanjë dhe Itali, këshillat fiskalë të themeluar në 2013-n u bënë operacionalë në 2014. Këshilla të rinj u raportuan në Luksemburg, Qipro dhe Holandë, ndërsa disa këshilla të vjetër u reformuan në Austri, Belgjikë, Rumani dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Përmirësimi i sistemit të menaxhimit të financave publike në vendet kandidate dhe aspirante për anëtarësim në BE përbën sot një nga drejtimet themelore të Bashkimit Europian dhe Komisionit Europian në strategjinë e tyre të zgjerimit për vitet 2015-2020. Në një linjë me këtë orientim shkon edhe Strategjia qeveritare e Menaxhimit të Financave Publike të Shqipërisë 2014-2020/ Strategji shumë e mirë, por që duhet respektuar dhe zbatuar me përgjegjësi në objektivat e saj.

Përdorimi i planifikimit buxhetor afatmesëm ka nxitur një qasje më të disiplinuar për buxhetimin dhe i ka detyruar qeveritë të shohin përtej horizontit tradicional të buxhetit të një viti, si dhe të planifikojnë kostot e ardhshme të politikave të reja. Përveçse siguron pajtueshmëri me treguesit e tjerë makroekonomikë dhe objektiva të tillë si rritja ekonomike, mbajtja nën kontroll e inflacionit dhe e kursit të këmbimit, etj., planifikimi buxhetor afatmesëm siguron dhe menaxhimin efektiv të risqeve fiskale, të cilat hapësira e një buxheti vjetor nuk mund t’i menaxhojë si duhet.

Pa informacion të saktë, të besueshëm, të thjeshtë për t’u kuptuar dhe në kohë, qeveritë nuk do të mund të marrin vendime të drejta dhe të mira në lidhje me politikat fiskale. Nga ana tjetër, në rast se nuk publikohet ky informacion, nuk ka gjasa që qeveritë të mbahen përgjegjëse për këto vendime. Ja përse FMN këmbëngul në raportimin e unifikuar dhe publik të informacionit fiskal.

Si KLSH, në raportimin tonë në Kuvend për zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2014, kemi vërejtur mungesë të një baze të unifikuar të mbajtjes së kontabilitetit, adresime të ndryshme të përgjegjësisë dhe pasqyra financiare që nuk pasqyrojnë gjendjen reale të pasurisë së shtetit. Mungesa e pasqyrave të konsoliduara të Shtetit, ndikon jo vetëm në nivelin e transparencës, por është e lidhur ngushtësisht me ndjekjen e kujdesshme të financave publike dhe analizën e treguesve makroekonomikë.

Kemi kërkuar në raportimin tonë në Kuvend në tetor 2015, që të publikohen menjëherë nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit Publik IPSAS, si baza kryesore metodologjike mbi të cilën do të hartohen pasqyrat financiare të Shtetit. Kemi kërkuar po ashtu që të ngrihet një drejtori e veçantë, brenda Drejtorisë së Thesarit në Ministrinë e Financave, e cila të mundësojë përshtatjen e pasqyrave të nxjerra nga sistemi i integruar në formën e Pasqyrave të Konsoliduara të Shtetit. Kjo drejtori duhet të ketë si funksion edhe kontrollin e saktësisë së pasqyrave të përgatitura nga institucionet publike, për të vënë nën monitorim këtë proces të rëndësishëm.

Si KLSH jemi të bindur se vendosja e një disipline të rreptë fiskale, nëpërmjet përcaktimit të rregullave fiskale të qarta, transparente dhe të përshtatshme për vendin tonë, nga një këshill fiskal me ekspertë të njohur të fushës së financave publike nga radhët e akademikëve apo profesorë të shquar vendas apo të huaj, do të zvogëlonte risqet me të cilat janë përballur financat tona publike dhe Buxheti i Shtetit gjatë viteve të fundit. Tani që kjo ide ka edhe mbështetjen e FMN-së, do të ishte e udhës që të propozohej krijimi i një strukture të tillë sa më shpejt, nga Kuvendi apo edhe nga vetë qeveria.

Top Channel