Anarkistët grekë kanë sulmuar me bomba molotov banesën e ministrit të Shtetit në qeverinë Tsipras, Alekos Flamburaris.

Ngjarja ndodhi gjatë orëve të natës në lagjien Eksarqia të Athinës, në kohën kur ministri ndodhej në banesë. Për fat, dëmet në banesë ishin vetëm jashtë mureve dhe banorët e saj nuk u rrezikuan.

Autoritetet greke thanë se grupi i anarkistëve hodhi më tepër se 10 kokteile molotov kundër banesës dhe në vazhim dëmtoi disa makina dhe iu drejtua qendrës së lagjies, ku dhe u shpërndanë të ndjekur nga forca të shumta të policisë, e cila megjithatë nuk mundi të kryente arrestime.

Prej sulmit u dëmtuan rëndë dy automjete dhe njëri prej policëve që ruanin banesën mori plagë të lehta dhe u dërgua në spitalin ushtarak të Athinës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndonëse sulmi ende nuk është marrë përsipër prej organizatave anarkiste, burime qeveritare thanë se banesa e ministrit Flamburari u krye prej anarkistëve që kundërshtojnë politikat e qeverisë Tsipras, kryesisht reformën e skemës së sigurimeve.

Sulmi ndaj banesës së Flamburaris u dënua nga gjithë klasa politike vendase. Zëdhënësja e qeverisë, Olga Gjerovasiliu tha se qeveria nuk trembet, as shantazhohet dhe reformat do të vazhdojnë me çdo kusht.

Top Channel