Bisedimet e Gjenevës për Sirinë, opozita cakton kërkesat; jo parakushte

31/01/2016 00:00

Grupi kryesor i opozitës siriane ka mbërritur në Gjenevë, një ditë pasi u tërhoq nga kërcënimi për t’i bojkotuar bisedimet e paqes të sponsorizuara nga Kombet e Bashkuara. Megjithatë, një zëdhënës i tyre tha se do t’i qëndrojnë ende kërkesave të tyre për t’u dhënë fund sulmeve ajrore dhe bllokadave, përpara se të nisin negociatat me qeverinë siriane.

Delegacionet siriane pritet të takohen këtë të dielë me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara, Staffan de Mistura. Ndërkohë shefi i OKB-së, Ban Ki-moon u bëri thirrje të gjitha palëve të vendosin interesat e popullit sirian mbi interesat vetiake.

“Fëmijët dhe gratë në veçanti kanë bartur barrën e këtyre luftimeve, ndaj dhe ka ardhur koha të shohim drejt fundit të kësaj situate. T’u japim fund luftimeve dhe abuzimeve me të drejtat e njeriut, të cilat kanë dominuar gjatë periudhës së luftës”, tha Ki-moon.

Më shumë se 250 mijë njerëz kanë ndërruar jetë dhe mbi 11 milionë të tjerë janë larguar nga vendbanimet e tyre përgjatë luftës civile 5-vjeçare në Siri. Dhuna në Lindjen e Mesme ka qenë edhe shkaku i krizës më të rëndë të refugjatëve në Europë, që prej Luftës së Dytë Botërore.

Komiteti i Lartë Negociator (HNC), i mbështetur nga sauditët, ra dakord më në fund gjatë orëve të vona të së premtes, se duhet të marrin pjesë në bisedimet e Gjenevës, vetëm pak orë pasi delegacioni qeveritar sirian kishte mbërritur atje dhe kishte zhvilluar bisedime paraprake me të dërguarin De Mistura.

Me të mbërritur në Gjenevë, zëdhënësi i HNC-së, Salim Muslet tha se, ata kërkojnë lirimin e grave dhe fëmijëve nga burgjet qeveritare, t’u jepet fund sulmeve ajrore, ndërsa ndihmat të lejohen nëpër fshatrat e pushtuara; e megjithatë këto nuk janë parakushte për bisedimet.

“Kemi qenë gjithnjë optimistë, por problemi është se ne po përballemi me një diktaturë në Siri. Në të vërtetë, nëse ai (presidenti Assad) dëshiron të zgjidhë këto probleme, nuk do t’i kishim parë këto krime luftë dhe këto masakra në Siri”, tha zëdhënësi.

Gjithsesi, Riad Hijab, kreu i HNC-së që nuk ndodhet i pranishëm në Gjenevë, paralajmëroi përmes një postimi online se, prania e delegacionit “nuk do të jetë e justifikueshme”, nëse qeveria siriane vazhdon të “kryejë të tilla krime”.

Bisedimet për afrim mes palëve kundërshtare pritet të zgjasin 6 muaj, ndërsa delegacionet do të ulen nëpër dhoma të ndara dhe zyrtarë të Kombeve të Bashkuara do të enden mes tyre. Prioritetet bazë janë vendosja e një armëpushimi të gjerë, dërgimi i ndihmave humanitare, si dhe ndalja e kërcënimit të paraqitur prej Shtetit Islamik.

Top Channel