Tensionet Turqi-Rusi, Ankaraja: Moska shkeli sërish hapësirën tonë ajrore

31/01/2016 00:00

Turqia e ka akuzuar sërish Rusinë për shkelje të hapësirës së saj ajrore, në një episod të ndodhur të premten kur një avion rus ka fluturuar pranë kufirit me Sirinë, siç ka sqaruar Ministria e Jashtme turke, si dhe e ka paralajmëruar se do të “përballet me pasojat” nëse vazhdon me shkelje të tilla.

Moska ka reaguar menjëherë duke i përshkruar të tilla pretendime si “propagandë e pabazuar”.

Tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar së tepërmi që prej nëntorit, kur për shkak të shkeljes së pretenduar të hapësirës së saj ajrore, Turqia hapi zjarr dhe rrëzoi një avion rus. Moska, ndërkaq, ka nisur që prej shtatorit të vitit të kaluar sulme ajrore mbi Siri, aty ku ka vendosur nën shënjestër forcat rebele që luftojnë kundër qeverisë së Presidentit, Bashar al-Assad, një aleat i Putinit.

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme turke thuhet se, një avion rus “SU-34” ka shkelur hapësirën ajrore turke rreth orës 11:46 të së premtes (me orën lokale), duke injoruar disa paralajmërime të bëra në rusisht dhe anglisht. Në të njoftohet gjithashtu se, ministria ka thirrur ambasadorin rus në Ankara, për t’i paraqitur atij “një protestë të fortë dhe dënimin” që i japin këtij incidenti.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi të shtunën se, Rusia do të mund “të përballet me pasojat, nëse vijon me të tilla shkelje”.

“Hapa të tilla të papërgjegjshme nuk i sjellin përfitime as Federatës Ruse, as marrëdhënieve Rusi-NATO, por as paqes rajonale dhe globale”, tha ai për reporterët. Ai shtoi gjithashtu se kishte kërkuar vazhdimisht për një takim me homologun e tij rus, Vladimir Putin, por pa ia arritur.

NATO, pjesë e së cilës është edhe Turqia, i bëri thirrje të shtunën Rusisë “të veprojë në mënyrë të përgjegjshme dhe të respektojë plotësisht hapësirën ajrore të vendeve të aleancës atlantiko-veriore”. Gjithashtu, ajo duhet të “marrë të gjitha masat për t’u siguruar se të tilla shkelje nuk duhet të ndodhin më”.

Top Channel