Përurohet shtëpia e Kadaresë, Rama: Jo vetëm muze…

31/01/2016 00:00

Pasi kanë përshkuar në këmbë të gjithë segmentin e “Sokakut të Marrëve”, Rama dhe Meta kanë mbërritur në fund të tatëpjetës së rrugës, ku është shtëpia e Kadaresë, ne lagjen Palorto. Mungonte i zoti i shtëpisë, megjithatë derën e gjetën hapur.

E ndërtuar në 1779-n, e djegur fillimisht gjate Luftës së Dytë Botërore, e më pas bastisur e djegur sërish gjatë vitit të mbrapshtë ’97. Tashmë e restauruar nga Agron Doraci, shoku i fëmijërisë së Kadaresë, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës shtëpia është e hapur për t’u vizituar.

“Këtë shtëpi ia kanë dhuruar shumë bujarisht Ministrisë së Kulturës, publikut për ta ndarë me të gjithë, jo vetëm me Gjirokastrën. Është një shtëpi që nuk ishte tamam kështu siç është sot”, tha ministrja Mirela Kumbaro.

Për kreun e Kuvendit Meta, kjo nuk është një shtëpi thjesht si gjithë të tjerat, por përmes Kadaresë ajo përfaqëson kulturën e kombit tonë, identitetin e tij europian.

“Dua të falënderoj shumë Ministrinë e Kulturës, Qeverinë dhe Bashkinë e Gjirokastrës për këtë përkushtim që kanë treguar dhe që më në fund kanë sjellë një institucion kaq të rëndësishëm kulturor, që nuk është vetëm gjirokastrit, nuk është vetëm shqiptar, por është europian, ndërkombëtar dhe që do t’i japë një përmasë tjetër edhe qytetit të Gjirokastrës”, tha Meta.

Kryeministri Edi Rama premtoi se, kjo ndërtëse nuk do të mbesë vetëm në kuadrin e një shtëpie-muze.

“Do të vazhdojmë me fazën tjetër, sepse shtëpia ka nevojë të popullohet me librat e Ismailit, me dorëshkrime dhe sende personale. Unë kam folur edhe me Helenën, që është gjysma më e mirë e Ismailit, për të shtuar edhe një bibliotekë me librat e shkrimtarëve të dashur për Ismailin, në mënyrë që shtëpia të mos jetë thjesht një muze, por të jetë një mjedis i gjallë, që të rrijë hapur, të tërheqë njerëz jo vetëm për ta vizuar, por edhe për të studiuar e lexuar. Pra edhe një bibliotekë unike në Shqipëri e mbase jo vetëm këtu, por për të gjithë dashamirësit e letërsisë”, tha Rama.

Shahin Kadare, vëllai i shkrimtarit tha se shtëpia dhe qyteti i lindjes kanë lënë gjurmë të veçanta në veprën e Kadaresë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel