Racizmi klasor i Jozefinës dhe racizmi etnik i Kokëdhimës

31/01/2016 00:00

Nga ILIR YZEIRI – Jo vetëm në një rast, por nuk ka ditë që shqiptarët të mos përballen me ndotjen më të rëndë akustike që vjen prej fjalës dhe, meqenëse ligjërimi politik që zotëron kudo është bërë forma zotëruese e ndotjes akustike, thuajse çdo ditë shqiptarët helmohen me mesazhe të errëta, të zeza që ua bëjnë jetën edhe më të rëndë nga ç’është në të vërtetë.

Po çfarë e ndan ligjërimin serioz nga ligjërimi makabër? Si e kanë zgjidhur vendet demokratike dhe të qytetëruara këtë krim akustik? Nuk është vendi këtu për të bërë historinë e këtij problemi, që është sa kulturor aq edhe etik, por nëse në një vend normal, një deputete si Jozefina Topalli do të kishte shqiptuar atë tekst racist që ajo shqiptoi kundër Taulant Ballës, asaj, më së pakti, do t’i hiqej e drejta për të folur në publik për një periudhë të caktuar dhe do të merrte një gjobë që të mësonte se gjuha nuk mund të përdoret si shkelmat. Po ashtu do të kishte ndodhur edhe me deputetin Koço Kokëdhima, i cili fyeu në mënyrë raciste Vangjel Dulen. Jozefina Topalli, nga tribuna e Kuvendit të Shqipërisë, i tha Taulant Ballës se ti ke lindur në kasolle, ndërsa Koço Kokëdhima, nga tribuna e Kuvendit të Partisë Socialiste në Vlorë, deklaroi me një mburrje raciste se unë jam shqiptar, jam himarjot, ndërsa Vangjel Dule është minoritar.

Në rastin e parë, në atë të Jozefinës, krenaria e saj boshe dhe ngulmimi për ta fyer kundërshtarin politik me diferencën klasore, pra me racizmin klasor, na shpie në një kohë tjetër, por të kthyer përmbys. Jozefina Topalli kërkon të hakmerret verbalisht me shtresën e ulët të shqiptarëve, që në vitin 1944 morën pushtetin dhe i rrafshuan pronat, burgosën e vranë kundërshtarët politikë në emër të ideologjisë së vegjëlisë, të djemve e vajzave që kishin lindur në kasolle dhe në fshatra të humbura. Jozefina Topalli, e frustruar nga e kaluara e saj, kujton se ka gjetur kohën dhe vendin që të hakmerret verbalisht me ata që ajo i quan kundërshtarë politikë dhe, si të mos mjaftonte kjo, vjell nga goja edhe një fyerje tjetër raciste, duke përçmuar atë që lind në kasolle, që lind i varfër dhe që lind në një fshat të humbur të Librazhdit.

Ky racizëm klasor dhe ideologjik ka qenë fatal për Shqipërinë dhe i ka kushtuar asaj viktima të panumërta. Vendet që kanë dalë nga diktatura e egër si Shqipëria duhet të bëjnë kujdes që të mos ringjallin më kurrë racizmin ideologjik dhe klasor. Në të gjitha rastet, Shqipëria e ka paguar keq dhe më keq akoma e ka paguar shtresa e martirizuar e të përndjekurve politikë. Mirëpo Jozefina Topalli nuk përfaqëson atë shtresë, ajo përfaqëson modelin agresiv të militantit me natyrë hakmarrëse që të varfrin, të thjeshtin, atë që lind në kasolle apo që lind në një fshat të humbur nuk e pranon dhe nëse ai i kundërvihet, ajo është gati ta eliminojë me anë të përjashtimit, pra ta eliminojë me anë të gjuhës dhe nëse i jepet mundësia ta eliminojë edhe fizikisht. Nxitja e racizmit klasor dhe ideologjik nga një zyrtare e lartë e shtetit shqiptar, ish-kryetare e Kuvendit të Shqipërisë dhe deputete e vjetër, është një shqetësim serioz.

Mirëpo në Shqipëri nuk ka institucione të besueshme që të frenojnë këtë agresion verbal me anë të ndëshkimit. Në Shqipëri politikanë janë bërë injorantët dhe modeli i shëmtuar i gangsterëve të rrugës që nuk pyesin se ligjërimi publik është një formë ligjërimi që, nëse nuk kontrollohet, vret njësoj si plumbi. Në anën tjetër, më bëri shumë përshtypje shqiptimi prej deputetit Kokëdhima, që është dhe një botues serioz, i cili, siç e kam shkruar dikur, me anë të gazetës “Shekulli”, futi në median shqiptare nocionet e deontologjisë e të etikës dhe i dha një frymëmarrje tjetër raportimit gazetaresk. Vangjel Dule mund të ketë shumë të meta, ashtu si edhe politikanët e tjerë shqiptarë, por këto të meta nuk vijnë pse ai është minoritar dhe Koçoja është shqiptar. Ne e dimë të gjithë se sa kanë vuajtur shqiptarët nga racizmi etnik dhe shovinizmi grek. Por edhe ne shqiptarët nuk jemi treguar edhe aq dembelë në hakmarrjet etnike. Mjaft të kujtojmë krimet e Ali Pashës që të bindemi për këtë.

Mirëpo sot, kur bota e qytetëruar është fokusuar te të drejtat e njerëzve me orientim të ndryshëm seksual nga yni, kur njeriu është vënë në qendër të kuptimit të lirisë dhe çdo diferencim për shkak të gjuhës, etnisë, klasës, ideologjisë, gjinisë quhet racizëm dhe nxit dhunë, ne shqiptarët tregohemi ballkanas kokëtrashë dhe kemi përfaqësues politikë që japin mesazhe të nxitjes së përçmimit ideologjik, klasor dhe etnik.

Jozefina Topalli dhe Koço Kokëdhima në një shtet normal do të duhej urgjentisht të kërkonin ndjesë para publikut. Jozefina mund ta urrejë për vdekje Taulant Ballën dhe kjo është punë për të, po kur thotë që ti ke lindur në kasolle dhe në një fshat të humbur dhe kur këtë e thotë në sy të miliona shqiptarëve, ajo nuk i drejtohet më Taulantit, ajo fyen të gjithë ata shqiptarë që për fatin e tyre të mirë a të keq kanë lindur atje ku thotë Jozefina. Jozefina nuk duhet të jetë e lumtur pse fisi i saj paska pasur shtëpi në Venecia, ajo duhet të kujtojë me kokën ulur vitet e vështira që ka kaluar duke punuar në diell në fushat e duhanit në Shkodër, për shkak të atij racizmi ideologjik e klasor që ajo tani e ka bërë filozofi të kuptimit të jetës. Edhe Koço Kokëdhima duhet të kujtohet se mijëra e mijëra shqiptarë që jetojnë në Greqi, ashtu si pakicat kombëtare që jetojnë te ne, kanë nevojë të marrin mesazhe vëllazërimi dhe jo përçmimi.

Top Channel