Takohet me Tusk, Cameron kërkon “frena” edhe më të forta ndaj emigracionit

31/01/2016 00:00

Kryeministri britanik, David Cameron do të takohet këtë të dielë me Presidentin e Këshillit të Europës, Donald Tusk, ndërkohë që një burim nga qeveria britanike ka bërë të ditur për “Reuters” se, kreu i ekzekutivit britanik do të kërkojë më shumë fuqi nga Bashkimi Europian për të ndalur emigracionin.

Cameron pritet të këmbëngulë te hapi i parë i propozuar, ai i vendosjes së “frenave të dorës”, sipas të cilit do t’u mohohen pagesat e përfitimeve emigrantëve që punojnë, që mund të hyjë në fuqi menjëherë pas referendumit që do të mbahet në Britani mbi qëndrimin ose jo në Bashkimin Europian.

Kryeministri britanik ka premtuar reformimin e marrëdhënieve të Britanisë me BE-në dhe mbajtjen e një referendumi mbi anëtarësinë në union përpara fundit të vitit 2017. Për këtë arsye, ai shpreson që të arrijë një marrëveshje reformuese në samitin e muajit të ardhshëm, me qëllim që ta mbajë sa më shpejt të jetë e mundur referendumin.

Ai beson se propozimi aktual i BE-së, për t’i vënë frè për të paktën 4 vite, kërkon përforcim edhe më të konsiderueshëm dhe se duhet të bëhet i aplikueshëm për sa kohë të jetë e nevojshme për zgjidhjen e problemit themelor.

Cameron kërkon gjithashtu që çdolloj mase emergjente frenuese të trajtohet si një masë ndalimi e përkohshme, deri në arritjen e një mekanizmi të përhershëm.

Top Channel