Ekzekutimi i Çollakut, burg për Shtrazën. I akuzuari s’e pranon akuzën

31/01/2016 11:45

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Denis Shtrazën, një nga të dyshuarit për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut në fillim të muajit janar, në qytetin e Durrësit.

Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa mësohet se, i akuzuari Shtraza nuk ka pranuar akuzën, duke mos dhënë asnjë shpjegim para gjykatës.

Përveç Shtrazës, Prokuroria ka shpallur në kërkim për vrasjen e Çollakut edhe ish-oficerin e policisë, Ervin Dalipaj, i cili sipas hetimeve të zhvilluara deri më tani rezulton të ketë qenë në të njëjtin automjet me Denis Shtrazën, me të cilin rrëmbyen Gazmend Çollakun për ta vrarë më pas.

Veç dy personave të lartpërmendur, Prokuroria bën me dije se, në rrëmbimin dhe ekzekutimin e Çollakut kanë marrë pjesë edhe dy persona të tjerë, identitetet e të cilëve nuk janë publikuar ende.

Shtraza u arrestua të premten, teksa po largohej nga Shqipëria duke përdorur Aeroportin e Rinasit. I njohur si person me tendenca të theksuara kriminale, me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës, ai dyshohet të jetë dhe anëtar i një grupi kriminal që operon në zonën e Durrësit dhe të Tiranës.

Në vitin 2009, Shtraza u ekstradua nga Gjermania si autor i dyshuar i dy plagosjeve të rënda, nga gjykimi i të cilave u shpall fajtor, por doli me dënime të lehta që konsistonin në gjobë dhe 4 muaj burg.

40-vjeçari Gazmend Çollaku, u mor peng më 6 janar qytetin e Durrësit dhe një ditë më pas është  gjetur i vdekur dhe i lidhur me këmbë e duar në afërsi të fshatit Murqin të Krujës.

Viktima ishte qëlluar me armë në kokë dhe fillimisht mendohet se ekzekutimi i tij ka lidhje me vrasjen e dy të rinjve, Ervin Kodra dhe Endri Caushaj, ngjarje e ndodhur në muajin dhjetor, pranë hyrjes së Portit të Durrësit.

Çollaku u mor peng nga persona të veshur me uniforma policie dhe dëshmitarët në vendngjarje menduan se bëhej fjalë për një shoqërim të tij.

Top Channel