Kushte të reja për autobusët, Bashkia dikton shpejtësinë, higjienën…

31/01/2016 00:00

Të hënën e 1 shkurtit hyn në fuqi çmimi i ri i biletës për transportin urban në Tiranë, ndërsa bashkia e kryeqytetit paralajmëroi marrjen e masave të forta administrative për të gjitha kompanitë, të cilat nuk do të përmbushin disa standarde, që sipas nënkryetarit Arbjan Mazniku kanë si qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.

“Do të kërkojmë në mënyrë të vazhdueshme respektimin rigoroz të orareve të fillimit dhe mbarimit të shërbimit; respektimin e frekuencës nëpër stacionet e autobusëve; respektimin e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve, në mënyrë që të mos lëvizin më ngadalë se ç’duhet. Gjatë kryerjes së shërbimit, automjetet do të qëndrojnë në çdo stacion të linjës duke mos i kapërcyer stacionet siç ndodhte më parë; të gjitha mjetet e transportit publik qytetas të udhëtarëve do të jenë të pajisura me emrin e linjës, ngjyrën, numri i dokumentacionit të nevojshëm në mjetet dhe shenjat e tjera të identifikimit. Mjetet e transportit publik duhet të jenë të pajisura me kondicionerë funksionalë, të cilët duhet të jenë gjithmonë në punë, si dhe mjetet duhet të jenë të pastra brenda e jashtë. Në mjediset e jashtme të transportit publik do të vendosen informacionet për oraret, iterneraret dhe frekuencën e lëvizjes, si dhe duhet të pajisin mjediset e brendshme me të tilla informacione. Personeli i mjeteve të transportit publik duhet të jetë i pajisur me uniformë dhe nuk do të lejohet asnjë komunikim i pahijshëm me qytetarët”, tha nënkryetari i bashkisë, Arbjan Mazniku.

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Policia Bashkiake do të nisin që prej ditës së hënë mbikëqyrjen ndaj të gjitha linjave të transportit urban, për të evidentuar shkeljet e bëra nga shoqëritë përkatëse të çdo linje. Në rast evidentimi të shkeljeve të standardeve të vendosura nga Bashkia e Tiranës, masat për kompanitë do të jenë të rrepta dhe do të variojnë nga gjobat, deri në heqjen e licencës.

Top Channel