Athinë, mitingje të ekstremistëve në 20-vjetorin e incidentit ushtarak me Turqinë

31/01/2016 00:00

Me gjithë urdhrin e qeverisë për ndalimin e protestave, mbrëmjen e së shtunës, mbi 2.500 përkrahës të partisë “Agimi i Artë”, i ekstremit të djathtë, janë mbledhur jashtë zyrave qendrore të partisë së tyre për të përkujtuar 20-vjetorin e një incidenti ushtarak midis Greqisë dhe Turqisë.

Në incidentin në fjalë, që ka ndodhur në ishullin Imia të Egjeut, 3 oficerë të Marinës greke kanë humbur jetën, pas rrëzimit të helikopterit në të cilin ndodheshin. Ngjarja, që për pak i çoi dy vendet fqinje në prag lufte, krijoi një hendek edhe më të madh për të ashtuquajturat “zonat e errëta” të detit Egje, si dhe për kufirin ujor, çështje për të cilat Athina dhe Ankaraja kanë mosmarrëveshje të vazhdueshme dhe pozicionime të papajtueshme.

Mitingu peëkujtimor u ndalua të zhvillohej aty ku ndodhet një monument i oficerëve të vrarë, në qendër të Athinës, për shkak të frikës së policisë mbi mundësinë e konfrontimeve me anarkistët, ndërsa përshëndetja në mënyrë naziste e kreut të “AA”, Nikolaos Michaloliakos, ka ngjallur përsëri reagime.

Në të njëjtën orë, disa qindra aktivistë antifashistë kanë marshuar në një lagje tjetër të kryeqytetit, e cila është e mbipopulluar me emigrantë e refugjatë, dhe kanë kërkuar të parandalohen sulmet e dhunshme ndaj emigrantëve, që në shumicën e rasteve zhvillohen pas mitingjeve të neonazistëve të “Agimit të Artë”.

Top Channel