Kosovë, tregtimi i ushqimeve të skaduara rrezikon konsumatorët

31/01/2016 00:00

Ushqime me afat skadence të tejkaluar, në veçanti produkte qumështi e mishi dhe nënproduktet e tyre, vazhdojnë të jenë të pranishme në tregun e Kosovës. Përfaqësues të organizatave që merren me këtë çështje vlerësojnë se, ky fenomen vazhdon të rrezikojë konsumatorin në Kosovë.

Drejtori i organizatës jo qeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku tha për Top Channel se, e gjithë kjo vjen si pasojë e moszbatimit të ligjeve në vend.

“Republika e Kosovës nuk ka arritur ende të krijojë një treg vendas, apo një ekonomi të lirë. Pa këto të dyja nuk mund të ketë as strategji të zhvillimit ekonomik. E gjithë kjo që po ndodh te ne ka një pamje kaotike, sepse këtu veprojnë më shumë pamundësitë e zbatimit të ligjeve, sesa ligjet. Ligjet në Kosovë nuk zbatohen ende në masë, as deri 40%, ndaj dhe në këtë rrëmujë çdokush që ka deficit të etikës tregtare dhe të biznesit, e shfrytëzon momentin për t’u pasuruar”, tha Selatin Kaçaniku.

Problematike lidhur me këtë fenomen mbetet edhe ndërgjegjësimi i ulët i qytetarëve për të raportuar raste të tilla.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi tha se, në momentin që ata informohen për prani të produkteve të dyshimta në treg, merren menjëherë masa, edhe pse është shënuar rënie në numrin e raportimeve.

“Ne kemi raste kur raportojnë për lloje të ndryshme problemesh, që hasin konsumatorët gjatë blerjes. Ne, me trupat tona inspektuese i marrim gjithmonë masat konform ligjeve në fuqi. Kjo do të thotë se, fillimisht produkti i dyshimtë largohet nga tregu, pastaj verifikohet dhe, nëse ai nuk i plotëson kushtet për të qëndruar në treg, gjithmonë asgjësohet. Ndërkohë që për operatorët e biznesit dërgohet fletëparaqitje në gjykatë”, tha Lamir Thaçi, zëdhënës i AUV-së.

Ligji për mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë është miratuar në vitin 2004, i cili përcakton rregulloren dhe mbron të drejtat themelore të tyre gjatë blerjes së mallrave, shërbimeve në tregun e lirë.

Top Channel