Milan-Inter, sfida që mund të vendosë shumë

31/01/2016 12:45

Sot në mbrëmje e gjithë vëmendja e admiruesve të futbollit italian do të jetë në San Siro, ku do të zhvillohet Derbi i Madoninës mes Milanit dhe Interit. Është një ndeshje që mund të vendosë shumë për të ardhmen e këtyre skuadrave dhe që është përkufizuar nga trajneri Mihaljovic si “sfida ashensor”.

Milani vjen në këtë përballje pas fitores së ngushtë me Alesandrian në Kupën e Italisë, kurse Interi humbi të mërkurën 3-0 ndaj Juventusit, ndërkohë që edhe në 3 ndeshjet e fundit në kampionat nuk është paraqitur mirë. Në fazën e parë ishte skuadra zikaltër ajo që e fitoi këtë ndeshje me gol të Guarinit, ndërsa fitorja e fundit e Milanit në derbi është ajo e 4 majit, 1-0 me gol të De Jongut.

Mihajlovic dhe Mancini prej ditësh po punojnë për të përcaktuar formacionet dhe strategjitë e skuadrave të tyre. Te Milani, portieri Donnaruma do të përjetojë derbin e tij të parë, ndërsa mbrojtja do të përbëhet nga Abate, Alex, Romagnoli dhe Antonelli (mbetet jashtë De Sciglio). Në mesfushë, i sakrifikuari duket se do të jetë Bertolacci dhe në fushë pritet të zbresin Kucka, Montolivo, Bonaventura dhe Honda. Në sulm është e konfirmuar prania e dyshes Bacca-Niang. Për Milanin rikthehet edhe Menez, por francezi që ka qëndrua jashtë fushave për një kohë të gjatë, do e nisë sfidën nga pankina.

Te Interi, i vetmi balotazh është ai mes Melos dhe Kondogbiasë në mesfushë, me francezin që ka një avantazh të lehtë, ndërsa në sulm, Mancini është gati të aktivizojë që nga minuta e parë blerjen më të re të zikaltërve Eder, që do të luajë përkrah Icardit. Përsa i përket pjesës tjetër të formacionit nuk ka ndryshime, në portë Handanovic, në mbrojtje Nagatomo, Murillo, Miranda dhe Telles, ndërsa në mesfushë do të jenë Medel, Brozovic e Ljajic.

Top Channel