NBA, Golden State fiton me vuajtje ndaj skuadrës më të dobët të ligës

31/01/2016 00:00

Golden State Warriors di të fitojë ndeshje edhe duke vuajtur. Kampionët në fuqi të NBA e treguan këtë edhe në sfidën me Philadelfia, skuadrën më të dobët të ligës, ndaj së cilës fituan 108-105.

Warriors nuk shkëlqeu në këtë ndeshje dhe rrezikoi shumë që ta humbasë atë edhe pse arriti të krijojë një avantazh prej 19 pikësh. Emocionet patën amplitudën më të lartë në minutat e fundit, kur rezultati ishte i barabartë 105-105. Barnes shënoi 3-pikëshin vendimtar për Golden State, që shënoi fitoren e 43 sezonale, ndërsa Philadelfia ka bilancin më katastrofik, me vetëm 7 fitore dhe 41 humbje.

Cleveland Cavaliers ndal marshin e San Antonio Spurs. Në “Quicken Loans Arena” skuadra e Cavaliers iu imponua teksanëve, duke i mundur me rezultatin 117-103. Trinomi i Cleveland, James-Irving-Love ishin në një ditë shumë të mirë, duke shënuar së bashku 50 pikë për të detyruar të besuarit e Greg Popovich të ngrenë flamurin e bardhë të dorëzimit. Pas këtij rezultati, Cleveland qëndron e qetë në krye të Konferencës së Lindjes me 34 fitore e 12 humbje, ndërsa San antonio është e dyta në Perëndim me 39 fitore dhe 8 humbje.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Denver Nuggets humbi pas kohës shtesë me Indiana Pacers 105-109, Brooklyn Nets pësoi disfatë nga New Orleans Pelicans 103-105, Washington Wizards fitoi me Houston Rockets 123-122, ndërsa Toronto Raptors regjistroi suksesin e 11 radhazi pas triumfit me Detroit Pistons 111-107.

Top Channel