Mashtrimi me paratë e romëve, mashtrim me fotot e aktiviteteve

31/01/2016 00:00

Hetimet ndaj ish-ministrit Spiro Ksera, ndonëse nuk kanë zbuluar ndonjë skemë të sofistikuar mashtrimi apo ndonjë shumë të madhe, duke pasur parasysh fondet me të cilat është abuzuar në raste analoge, kanë nxjerrë në pah diçka tjetër shumë herë më të rëndë.

Faktin që, verbëria për të marrë gjithçka nuk i ka ndaluar për të përvetësuar edhe fondet për shtresat më vulnerabël të shoqërisë, siç janë romët apo personat me aftësi të kufizuara.

Këtë fakt e konfirmon edhe një nga provat e organit të akuzës kundër ish-ministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij, që është një foto, e cila tregon sesi trukoheshin fotografitë për të justifikuar kalimin e fondeve për aktivitete që nuk ishin zhvilluar fare.

Sa për shembull është fotoja origjinale e një aktiviteti të zhvilluar me mbështetjen financiare të PNUD-it, me rastin e ditës ndërkombëtare të romëve në prill të vitit 2013. Ajo është marrë dhe, pasi u janë ndryshuar me “photoshop” të dhënat e banerit, është shitur si dëshmi e zhvillimit të një tjetër aktiviteti për romët, i organizuar në periudhën qershor-korrik të vitit 2013 dhe për të cilën janë lëvruar edhe fondet nga ministria e drejtuar nga Ksera, në një kohë që nuk ka pasur asnjë aktivitet, thjesht një manipulim me fotot dhe disa dokumente fiktive.

Skema të ngjashme janë përdorur për disa aktivitete të tjera, paratë e të cilave janë përvetësuar nga ish-zyrtarë të kësaj ministrie, tashmë të pandehur. Abuzimi me fondet e shtresave vulnerabël është denoncuar edhe më parë, ku veç fondeve të qeverisë përfshihen edhe fonde të donatorëve të huaj, të cilët kanë kaluar gjithashtu përmes Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Ndërkohë, kjo kategori e shoqërisë vazhdon të jetojë në kushte gjithnjë e më të rënda. Vetëm këtë vit, dy foshnja të familjeve të komunitetit rom humbën jetën nga i ftohti i ditëve të para të janarit.

Top Channel