“Arrest me burg” për Spiro Kserën

31/01/2016 14:35

Ish-ministri Spiro Ksera do të hetohet në masën e sigurisë “arrest me burg”. Ky ka qenë vendimi i gjyqtarit Ilir Çeliku në seancën për vlerësimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Tiranës.

Vjedhje duke shpërdoruar detyrën ka qenë akuza në ngarkim të ish-ministrit, që iu parashtrua gjykatës nga prokurori Ndini Tavani. Ky i fundit e ka cilësuar ish-ministrin Ksera si personin që ka insistuar dhe vendosur për mbajtjen e aktiviteteve që janë objekt hetimi dhe nga ku rezulton se nuk është zhvilluar asnjë prej tyre, ndërsa ministria ka lëvruar fondin prej 30 milionë lekësh.

Nga ana tjetër, avoakti i Kserës, Genc Gjokutaj, deklaroi se si ndalimi ashtu edhe akuza nuk qëndrojnë ndaj klientit të tij: “Do e apelojmë këtë vendim që besoj se nuk do e ketë jetën të gjatë, pasi nuk ekzistojnë as kushtet e as kriteret për këtë masë sigurie”.

Më herët, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për ish-vartësin e Kserës, Artevis Mene, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ndërsa për Elda Kozajn, ish-punonjëse e Ministrisë së Punëve Sociale dhe Pranvera Lile, ekonomiste e shoqërise “Shpresa”, gjykata caktoi masat “detyrim paraqitjeje”, masa të cilat u kërkuan edhe nga prokurori Ndini Tavani.

Për këtë çështje, gjykata ka shpallur në kërkim edhe 3 ish-zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, ndërsa i katërti, Kleves Bitraj, ndodhet në burg duke vuajtur dënimin për një tjetër vepër penale.

Top Channel