Berisha: Institucioni i akuzës, kthim në kohët e errëta

31/01/2016 14:50

Ish-kryeministri Sali Berisha, me anë të një postimi të gjatë në Facebook, bëri të qartë qëndrimin e tij ndaj arrestimit të ish-ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, duke thënë se bëhet fjalë për një kthim në të kaluarën për institucionin e akuzës në Shqipëri.

“Arrestimet jashtë flagrance, pa pyetur kurrë të arrestuarin, janë atavisëm i kohërave të shkuara, dëshmi e dobësisë ekstreme të atij që lëshon urdhërarrestin! Avokati i ish-ministrit Ksera, pasi u njoh me dosjen dhe u takua me prokurorin, njoftoi se Spiro Ksera, ndonëse i paditur nga KLSH-ja një vit më parë, nuk është thirrur, nuk është pyetur kurrë nga prokurori i kësaj çështjeje dhe ky është një lajm shumë kompromentues, një qëndrim atavist që evokon kohërat më të zeza të institucionit të akuzës në Shqipëri. Arrestimi jashtë flagrance, pa marrë asnjëherë në pyetje personin për të cilin lëshohet mandati i arrestit, i çfarëdo statusi social, politik apo ekonomik, dëshmon më së paku për frikën e urdhërlëshuesit nga akti i tij i pamoralshëm”, shkruan Berisha.

Ish-kryeministri shton se “avokati i çështjes njoftoi gjithashtu se ish-ministri Ksera nuk ka asnjë lidhje, nuk ka asnjë provë që të faktojë se ai ka lidhje direkte me prokurimet për të cilat dhe u arrestua dhe se nuk ka asnjë provë se ai ka prekur apo ka përfituar nga tenderat e dosjes së akuzës për çka ai u arrestua”.

Top Channel