Meta flet për reformën zgjedhore dhe bashkëqeverisjen: Nuk ka duel, por duet

31/01/2016 00:00

Nga vendlindja i ish-ministrit të arrestuar, Spiro Ksera, kreu Kuvendit, Ilir Meta dha një përgjigje të prerë e të shkurtër kur u pyet nga gazetarët për prangosjen e ish-ministrit.

“Nuk kam asgjë për të thënë, janë çështje që i përkasin drejtësisë. Ne mbështesim pavarësinë e drejtësisë dhe nuk ndërhymë në çështje të drejtësisë”, u shpreh Meta.

Ndërsa për diskutimet e nisura se cili duhet të jetë në 2017 sistemi zgjedhor, pak ditë përpara nisjes nga puna të komisionit të reformës zgjedhore, kreu i LSI-s për momentin nuk shprehu ndonjë preferencë.

“Ne mendimet e ndryshme nuk i konsiderojmë konflikt, përkundrazi ne i shikojmë si një mundësi e mirë për të hapur diskutime dhe gjetur zgjidhjet më të mira në interes të reformës e qytetarëve në përfaqësimin e tyre sa më demokratik”, u shpreh kreu i Kuvendit. 

Nga Gjirokastra, Meta përcolli edhe këtë mesazh për marrëdhëniet me aleatin Edi Rama.

“Unë e kam theksuar se atje ku ju shihni duele, unë shikoj duete. Pra shikoj bashkëpunim”, ka thënë Meta.

Top Channel