Reagon Ermira Mehmeti: Ja e vërteta e ikjes sime nga mbledhja e KiE-së

31/01/2016 00:00

Deputetja shqiptare nga Maqedonia, Ermira Mehmeti, e cila është vënë përballë akuzave për shkak të mungesës së saj në mbledhjen e Asamblesë së Këshillit të Europës, ku u votua rezoluta për Kosovën së bashku me katër amendime të propozuara nga Serbia, ka reaguar përmes llogarisë së saj në “Facebook”.

Ajo kishte thënë se nuk kishte pasur mundësi të votonte pasi rrezikonte të humbiste fluturimin, por kjo nuk ka bindur ndjekësit e saj të cilët i kanë thënë se mund të kishte ndryshuar orarin e nisjes. Megjithatë, Mehmeti iu është përgjigjur se nuk ka pasur mundësi ekonomike që të paguajë për një tjetër biletë.

“Për fat të keq, nuk e kam standartin e disa politikanëve shqiptarë, ish-ministra e zyrtarë të tjerë të shtetit, që të mund t’i lejoj vetes që me shpenzime private të paguaj bileta avioni. Kjo mbase është dobësia ime që vazhdoj të jetoj vetëm nga rroga e deputetit dhe vazhdoj të mos kem asnjë biznes privat, të mos kontrolloj asnjë tender dhe që refuzoj të korruptohem”, ka shkruar Mehmeti.

Sipas saj, ajo nuk është shefe e delegacionit të Maqedonisë dhe për rrjedhojë as nuk e cakton kohëzgjatjen e qëndrimit në Strasburg, ndërsa shton se këtë gjë, ndryshimin e orarit të fluturimit, nuk ia ka kërkuar askush, as delegacioni i Kosovës, as i Shqipërisë, pasi sipas saj, nëse kjo kërkesë do të parashtrohej në nivel politik ndoshta edhe kishte mundësi të rregullohej me shefin e delegacionit maqedonas.

Gjithashtu, Mehmeti thotë se ka qenë lobimi i saj që ka ndryshuar situatën në favor të Kosovës, duke qenë se delegacioni i këtyre të fundit ishte në një pozicion aspak të favorshëm.

“Ishte puna dhe lobimi im, që siguroi mbështetjen më të madhe të delegacioneve, ndër më kryesoret, përfshirë Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, të cilët, duke firmosur amandamentet e palës kosovare, në fakt, arritën të ndryshonin atmosferën në favor të Kosovës. Mes të tjerash, këtu do përmendja edhe biseden telefonike me iniciative timen, me ministrin e Jashtëm të Turqisë, z. Mevlut Causoglu, i cili më ka garantuar mbështetjen e plotë të delegacionit turk në Asamble. Kam komunikuar disa herë me njërin nga deputetet me më ndikim në Asamble, austriakun z. Stefan Schennach, deri sa është bindur dhe ai për të firmosur amandamentet kosovare”, vijon Mehmeti.

Top Channel