Serie A, Napoli s’fal, Juve i bën presion me fitoren e 12 radhazi

31/01/2016 00:00

Napoli nuk i lejon vetes gabime. Skuadra e Sarrit dhe e mbrojtësit shqiptar Elseid Hysaj, fituan 5-1 me përmbysje me ish-ekipin e tyre, Empolin duke vazhduar kryesimin në kampionatin italian.

Gonzalo Higuain dhe Lorenzo Insigne me një goditje standarde të ekzekutuar mjeshtërisht kaluan në epërsi Napolin në harkun e katër minutave, pas avantazhit të papritur të miqve me Paredes. Në 45 minutat e mbetura, vendasit realizuan edhe tre herë. Fillimisht me autogolin e Camporeses, ndërsa në 6 minutat e fundit me dygolëshin e Callejon, që vulosi një tjetër ndeshje fantastike për Napolin.

Ndërkohë, Allegri barazon rekordin Contes me 12 fitore radhazi, të cilën ky i fundit e arriti në sezonin 2013-14. Juve, që duket se është shndërruar në një makineri perfekte, mposhtën 0-4 Chievon.

Në fraksionin e parë të sfidës në Bentegodi, Morata realizoi dy herë. Sulmuesi i rikthyer në formacion mbylli praktikisht lojën në të 40-ën. Më pas, Juventusi shënoi edhe dy gola të tjerë, fillimisht me Alex Sandro dhe në fund me Paul Pogba, protagonist i një paraqitje të shkëlqyer.

Bologna fitoi 3-2 sfidën me Sampdorian duke konsoliduar vendin në mesin e renditjes. Avantazhi i dyfishtë me Mounier dhe Donsah krijuan idenë e një fitoreje të thjeshtë, megjithatë miqtë reaguan, duke barazuar shifrat me Muriel dhe Correan. Goli i fitores për Bolognan u realizua nga Mattia Destro me penallti, tre minuta nga fundi i kohës së rregullt.

Barazime pa gola në tre ndeshjet e tjera. Fiorentina u frenua në fushën e Genoa-s dhe komplikon garën për vendin e tretë. Zhgënjim edhe për Lazion, që pasi u frenua me rezultatin 0-0 në Friuli nga Udinese bën një hap fals në garën për kupat e Europës. Me porta të paprekura përfundoi edhe sfida ndërmjet Torinos dhe Veronas së vendit të fundit në renditje.

Top Channel