Dështojnë në Londër bisedimet mes Cameron dhe Tusk

01/02/2016 08:30

Kryeministri i Britanisë dhe homologu i tij i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, nuk arritën të dielën në mbrëmje të binin dakord për një marrëveshje për kërkesat e Londrës për të ardhmen e saj në Bashkimin Evropian.

Tusk, ndryshe nga optimizmi i deklaruar kur hyri në bisedime, kur doli prej tyre deklaroi se “nuk u arrit marrëveshje”. Palët kanë rënë dakord të bisedojnë gjatë 24 orëve të ardhshme. 

Ky zhvillim e vë seriozisht në dyshim shpresën e kryeministrit Cameron për mbajtjen e referendumit për anëtarësimin në BE. Cameron kërkon kompetenca për të ndaluar emigrantët nga vendet anëtare të BE-së që të kërkojnë ndihma sociale për katër vjet pas ardhjes së tyre në Britani. Tusk kishte ofruar ato që janë quajtur “frena emergjente” për të provuar, nëse kjo do ndikonte në ekonominë britanike.

Ky kompromis i dhënë nga zyrtari i lartë evropian nuk mbështetet nga vendet e Evropës Lindore, nga vjen dhe vetë Presidenti i Këshillit të Evropës, pasi shumica e emigrantëve që vijnë për të jetuar në Britani dhe kërkojnë ndihma sociale janë nga vendet e Evropës Lindore, që tashmë janë anëtarësuar në BE dhe shtetasit e tyre punojnë dhe fitojnë në Britani, ndërkohë marrin edhe ndihma sociale për vete dhe familjet e tyre, duke dërguar sasira të mëdha të ardhurash në vendet nga vijnë.

Arritja e një marrëveshjeje në 24 orët e ardhshme është vendimtare përpara samitit të BE-së, më 18-19 shkurt, i cili do duhet të finalizojë marrëveshjen. Pa këtë marrëveshje nuk mund të ketë referendum në Britani gjatë kësaj vere. Sondazhi më i fundit në Britani flet për një thellim të hendekut në favor të atyre që duan që Britania të largohet nga BE-ja.

Top Channel