KLSH bën analizën vjetore, Leskaj: Në 4 vjet, 128 mld lekë dëm shtetit

01/02/2016 00:00

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka mbajtur këtë të hënë analizën vjetore, duke prezantuar rezultatet e arritura. Në fjalën e tij, kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj ka deklaruar se në 4 vitet e fundit janë zbuluar shkelje me vlerë 128 miliardë lekë.

“Në 4 vitet e fundit dëmi ekonomik është 8 herë më i madh se periudha parardhëse”, ka deklaruar Leskaj.

Ai ka nënvizuar se, në 4 vitet e fundit kallëzimet penale janë rritur me 3.2 herë, por sipas tij ka pasur një pandëshkueshmëri të zyrtarëve të akuzuar. “Shumë zyrtarë mbahen në administratë edhe pse kanë bërë shkelje”, ka thënë kreu i KLSH-së.

Duke u fokusuar tek sektori energjitik, Leskaj ka përmendur faktin se institucioni i tij ka kallëzuar një zyrtar të lartë të shtetit për situatën në CEZ, por më pas është bërë pre e sulmeve politike.

“Por, edhe pse jemi anatemuar nga segmente politike, ne i qëndrojmë konstatimeve tona në sektorin energjitik”, ka vijuar më tej Leskaj.

Ai ka nënvizuar se, KLSH ka gjetur mirëkuptimin dhe ka marrë mbështetje nga komisioni parlamentar i ekonomisë. “Në çdo auditim do të përpiqemi të mos politizohemi në aktivitetin tonë”, ka thënë më tej Leskaj.

I pranishëm në këtë analizë, kryeprokurori Adriatik Llalla ka vlerësuar rëndësinë e partneritetit mes KLSH-së dhe organit të akuzës. “KLSH është partneri ynë kryesor në luftën kundër krimit financiar. Në bazë të kallëzimit të KLSH u bë dhe arrestimi i ish-ministrit të Punës”, ka thënë Llalla.

Duke nënvizuar se, “duhet vënë para përgjegjësisë çdo zyrtar që abuzon me detyrën”, ai ka shtuar se, “prokuroria do të jetë përkrah KLSH-së në luftën kundër korrupsionit”.

Në të njëjtat linja, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka vënë në dukje se, nevoja për audite është e domosdoshme për çdo qeveri. “Ende nuk kemi hequr dorë nga parimet e drejtësisë popullore. Kemi ardhur në një pikë ku kemi më shumë të arrestuar sesa të dënuar. Rrjedhimisht, kemi shumë nevojë për auditim të performancës”, ka thënë Manjani.

Ndërsa kryetari i komisionit të ekonomisë, Erion Braçe ka deklaruar se nga viti 2015 ka një ligj që e forcon KLSH-në dhe ka shtuar se, është vet ky institucion që zgjedh auditorët, duke nënvizuar se nuk ka asnjë ndërhyrje.

“Ajo që na bashkon është interesi publik, liria dhe konkurrenca në tregje. Ajo që duhet të bëjmë është të prekim të paprekshmit”, është shprehur Braçe në fjalën e tij.

Të pranishëm në këtë event kanë qenë edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe kreu i ILDKP-së, Ganaj, dhe Avokati i Popullit Igli Totozani, të cilët kanë vlerësuar se bashkëpunimi i institucioneve respektive me KLSH-në është i një rëndësie të veçantë.

“Bashkëpunimi mes BSH dhe KLSH-së ka qenë i frytshëm. Shpreh bindjen se KLSH do të vazhdojë të jetë në lartësinë e sfidave që kërkon koha”, ka thënë Sejko.

“Puna e KLSH është përmirësuar vit pas viti. Misioni i qeverisjes së mirë është kërkesa kryesore e qytetarëve”, ka thënë nga ana tjetër Ganaj.

Edhe Avokati i Popullit Igli Totozani është shprehur për një ndryshim të filozofisë së qeverisjes. “Qeveritë i shohin rekomandimet tona si bezdisje dhe sulme”, ka thënë z. Totozani.

“Unë besoj se rreshtohemi në të njëjtën linjë. Kemi përgjegjësinë për të qenë aleatë në krah të qytetarëve e në mbrojtje të interesave të tyre. Sikundër kemi detyrimin të bëhemi kundërshtarët më të rreptë të abuzimit, arrogancës, dhe paaftësisë së shumë zyrtarëve, të cilët ulen e ngrihen në karrige pushteti, pa kuptuar kurrë se punët e qeverisë nuk janë për të mbushur xhepat personalë, por për të rritur mirëqënien e qytetarëve”, tha ai.

Ndërsa presidenti Bujar Nishani ka thënë se, institucionet dhe drejtuesit e tyre janë përgjegjës edhe për standardet që do t’i lënë gjeneratës së ardhshme. “Në vitet e fundit, konceptit të auditimit i është dhënë një shtysë e re. Jam i bindur se Shqipëria do të ecë përpara pavarvsisht sfidave”, ka thënë Nishani.

Top Channel