Ipeshkvi i Milanos: Festa islamike në shkolla

01/02/2016 10:30

Një festë islamike në shkolla. Është ky propozimi i bërë nga ipeshkvi i Milanos Angelo Scola, gjatë një takimi me gazetarë dhe një grup nxënësish të një Instituti për të Verbërit.

Në një shoqëri gjithnjë e më të përzierë, shpjegoi ipeshkvi, diferencat fetare nuk duhet të anulohen, por është më e drejtë që ato të mund të komunikohen, të shpjegohen. Ai hodhi idenë se një mënyrë njohjeje mund të jetë celebrimi i një feste islamike në shkolla, ku rreth 20% e nxënësve janë të huaj.

Gjatë takimit, kardinali Angelo Scola iu kthye sërish temës së ndërtimit të një xhamie në Milano: “Prej kohësh ajo kërkohet nga besimtarët dhe qëndrimi i ipeshkvit mbetet i qartë: sipas tij, nuk ka liri të vërtetë fetare nëse nuk ka vende kulti, rëndësi ka që të dihet se kush i promovon dhe financon. I vetmi kusht është që xhamia të mos ngrihet shumë afër kishave simbol të fesë katolike, si katedralja e D’ Uomos ose bazilika e Sant’Ambrogio”.

Ipeshkvi Angelo Scola është një prej figurave më të shquara të Kishës Katolike. Ai konsiderohej si kandidati më i mundshëm për Papë në konklavën e fundit. Megjithë profilin e tij konservator, ai vazhdon të dëshmojë mentalitet të hapur, kryesisht mbi temat më të mprehta sociale dhe kulturore në vend.

Top Channel