Elbasan, banorët: Shpëtoni pyllin tonë!

01/02/2016 11:45

Banorët e fshatrave Lugaj dhe Valas të Elbasanit dhanë alarmin për shkatërrimin e pyllit. Prerja e të gjitha pemëve dhe shkurreve ka filluar të krijojë problematikat e para, thonë ata, sepse toka ka nisur të rrëshkasë gjatë ditëve me rreshje.

Mes banorëve ekziston edhe ndjeshmëria për vendin ku kanë lindur e rritur. Mesa kanë mundur ata kanë mbrojtur pjesën e mbetur të Malit Plak, duke shtuar kafshët e egra. Dy familje shqiponjash jetojnë këtu dhe dhjetëra lloje bimësh bimë medicinale. Por e gjitha kjo rrezikon të zhduket.

“Kjo zhveshje është një masakër ekologjike dhe ekonomike. Shteti ka shumë instanca për mbrojtjen e pyjeve, por këtu te ne nuk kanë mbrojtur asgjë”, thotë Bashkim Musai, një banor i zonës.

Banorët gjithashtu tregojnë se qiramarrësi i këtij mali pretendon ta mbjellë atë me pemë frutore, rritja e të cilave kërkon një dhjetëvjeçar. Deri atëherë, rrëshkitjet e dheut do kenë shkatërruar çdo gjë, përfshirë edhe fshatin.

Top Channel