Prona dhe pronari, “Bohem” edhe në demokraci

01/02/2016 00:00

Agim Berisha – Pronat dhe pronarët në vendin tonë, janë si dy pllaka tektonike, që sa herë lëvizin në drejtim të njëra-tjetrës, shkaktohet tërmet e rrëmuja. Megjithëse kaluan 25 vjet, pronat e pronarët janë “endacakë”, madje më duket se kur duhet shmangur vëmendja nga gjëra me ndjeshmëri politike, merret një vendim edhe për pronat, apo ndahen leje legalizimi… Deri më sot, ligjet, por edhe “rregullimet” për pronësinë janë bërë pa u marrë mendimi i qytetarëve “peng” i tyre. Ky trajtim i jep dorë të lirë korrupsionit me to, por edhe qytetarët i shtyn drejt rrugëve të paligjshme.

E drejta e vendimmarrjes për pronësinë, është ekskluzivitet i patjetërsueshëm i disa “ekspertëve” të institucioneve shtetërore, që nuk janë nivele përfaqësuese. Ligje të tilla pa një përfaqësim edhe të pronarëve, por edhe pa respektim të detyrimeve nga palët e përfshira në të, nuk kanë jetëgjatësi. Pavarësisht se sot janë krijuar tregje të reja të fuqishme fitimprurëse, ai i pronave është akoma elitar. Ligjet për to ndryshohen sa herë të ndërrohen qeveritë…

E paradokset vazhdojnë. Dikush arrestohet për një ndërtim pa leje, dikush pranohet në procesin e legalizimeve. Mendoj, do ishte më e ndershme të “legalizohet” informaliteti në ndërtim, apo të jetë ekskluzivitet i bashkive dhe qeveria të mos harxhojë fonde për formalizimin e institucioneve, që bëjnë vetëm fushata, e që konsumojnë para, pa analizë ekonomike…

Historia e legalizimeve më kujton historinë e një njeriu, që ndihmohej nga një tjetër me çadër, që të mos lagej nga shiu. Gjatë rrugës, i zoti i çadrës llafazan, në vend të shpejtonte hapin, i thoshte shpesh të shpëtova pa u lagur, një herë, dy herë, tre… Afër një kanali me ujë, i lodhur nga fjalët e “çadraxhiut”, ai u hodh në kanal dhe i bërë qull i tha, a do isha bërë më ndryshe pa çadër, ik tani… Drejt kësaj do të shkojnë edhe qytetarët. Për legalizimet u fol gjatë kërkimit të mandatit nga PD-ja, por mostrajtimi si duhet e ndëshkoi…

Rilindja e shndërroi në “aneks” të OSHEE-së, ndryshoi çmimin e shtoi disa aksesorë për ta bërë më të pakuptueshëm, shembi shumë ndërtime në proces legalizimi, e tani drejtuesit deklarojnë nga pozitat e një qeverie paralele, si kofini pas të vjelave, se jemi në tratativa me qeverinë “Rama”, që t’u legalizohet vetëm objekti atyre që nuk plotësojnë kushtet për legalizim… Flasin për të ardhura, kur ato janë lekët e “shitjes” së pronave që janë zënë, e jo vetëm, por nga këto të ardhura bëhen edhe tenderë, që shpesh është punë e bërë, megjithëse kanë një “armatë” për ta mbyllur vetë. E në fund, gjatë seancave-show të dhënies së lejeve të legalizimit, të thonë, ja këto janë legalizime “falas”…

Procesi i legalizimeve lindi si nevojë për “të shuar” në radhë të parë një ”sherr”, por edhe kaos në pronësi e ndërtim që ekziston në vendin tonë, por nuk e mendoi njeri që do ishte i pafund. Ritmet që publikohen në media, nuk garantojnë mbylljen as këtë mandat… Nuk dua të flas si erdhi ky informalitet, sepse procesi i legalizimeve, apo ligji për legalizimet, amnistoi të gjitha palët ”kontribuuese” të kësaj situate edhe ligjërisht. Në një farë mënyre kjo u quajt si e mesme e “artë” për të gjithë, ku të tre faktorët shteti, pronari dhe pronari informal, si partnerë të barabartë do të gjenin jo vetëm zgjidhjen më të mirë të mundshme, por do mbanin edhe peshë të barabartë, për riskun gjatë procesit …

Deri më sot peshën më të madhe në këtë proces, e kanë mbajtur pronarët e ligjshëm, duke u detyruar nga shteti i tyre të kthehen në “bohemë”… Atyre u është marrë prona pa shpërblim, e shteti si iniciatori i “pajtimit”, duhej të merrte përgjegjësinë e kompensimit të tyre, kurse “informalët ” të shlyenin menjëherë pagesat e truallit. Kontakti me procesin e legalizimeve më ka bërë të ndjeshëm ndaj pronarëve, e sidomos ndaj atyre që janë objekt i reformës së legalizimeve. Kam vlerësuar marrjen përsipër nga ALUIZNI të shërbimit në hipoteka edhe kur nuk është bërë pagesa, por nuk duhen harruar “penalizimet” që pëson pronari, “zhvishet” nga prona pa kompensim.

Kam folur për punën e bërë, e pamohueshme, që duhej përdorur për mirë, në drejtim të kursimit të fondeve. Kam evidentuar ato elementë që zvarritin këtë proces, patjetër edhe korrupsionin, sado që të sotmit kanë më shumë altoparlantë për të folur. Fatkeqësi e këtij procesi janë edhe drejtuesit më shumë protagonistë politikë se specialistë, që nuk kanë vlerësuar dot misionin e procesit, apo kufirin e veprimtarisë së tyre, por e kanë konsideruar atë si tribuna për të marrë flamurin e shpëtimtarit, lider të pronësisë. Kurse të paaftët e kanë mbushur boshllëkun e mosdijes me imitimin e eprorëve, duke u shndërruar në tregues të mërzitshëm “përrallash” të mësuara përmendësh, që as politike nuk janë, por material për t’i drejtuar qytetarët te sekserët, që vazhdojnë të jenë prezentë edhe prej deklarimeve të tilla…

Dëgjoja një drejtues në një studio televizive, të thoshte çudira. Fliste për studime urbanistike pallatesh në Paskuqan e Kamzë, që janë bërë pa “marrë” mendimin e tij, sepse pengohet legalizimi…, kur as procesi i legalizimeve nuk pengon zhvillimin urbanistik. Besoj ai e di që studimet e tilla në toka me pronarë, që këtu janë në shumicë, nuk implementohen pa lejen e pronarit, kurse për ato me interes publik, bëhet kompensimi i tyre.

Çdo studim edhe aty është i mirëpritur, sepse hap perspektivën e zhvillimit jo vetëm të pronës, por edhe të integrimit të komunitetit. Ai fliste edhe për hipotekat, për hartat e saj që duhen ndryshuar së bashku me vendndodhjen e pronave. Ne do ta detyrojmë hipotekën të korrigjojë vendosjen e pronave thoshte ai, sepse sipas hartave të saj, Kamza bie në Vorë e Paskuqani në Kashar… E pavërtetë. Përfshimë të gjithë Kamzën e Paskuqanin në zona informale, vazhdon ai, kur ato janë miratuar që në 2007, në këshillin e Qarkut të KRRTRSH.

Po punojmë me blloqe-përsëri ai-për të marrë konfirmimin, që të kemi mundësi të rregullojmë vendndodhjen e pronave, kur zona masive informale si Bathoret, Frutikukultura, Paskuqani, janë me dokumente pronësie, kurse zonat rreth Vorës, e pothuajse të gjitha njësitë rreth qendrave të bashkive janë pothuajse autoktone, tërësisht në tokë të vet, e nuk janë prekur nga migracioni masiv i brendshëm…

Për mua u kuptua gabim qëllimi i kësaj “reforme” të re pronësie. Ajo vërtet do të bënte “revolucion” në pronësi, por vetëm ngaqë merrte përsipër “tjetërsimin” e pronave dhe krijimin e pronarëve të rinj, zgjidhje e detyruar, por kjo nuk do të bënte, pavarësisht nga ndonjë mangësi që ka ZRPP-ja, revolucion në hipoteka (ZRPP). Pavarësia e ZRPP-së është e shenjtë. Të gjitha pronat që qytetarët i kanë regjistruar në hipotekë, duhet të merren si pika referimi, sipas të dhënave numerike dhe hartografike të hartës së lëshuar nga hipoteka.

Fotografimi ajror do të bënte “inventarizimin” momental të të gjitha objekteve të ndërtuara në vendin tonë për t’i shërbyer procesit të formalizimit të tyre. Fotografime ajrore do vazhdojnë të bëhen pafundësisht, por jo çdo fotografim, sjell ndërhyrje në ZRPP. Si mundet ALUIZNI të detyrojë ZRPP-në të ndryshojë vendosjen e pronave kur ajo merret me 20-30% të pasurive në shkallë vendi, nga të cilat 30% e tyre janë në tokë të vet.

Nëse i lihet ALUIZNI-t dorë të rivendosë pronat, kjo do të shoqërohej me një turbullirë të paparë mbivendosje pronash, e shpëtimi do kërkohej vetëm te reforma agrare e modelit 45-46. Për mua është bërë gabim në procesin e legalizimeve, ngaqë nuk u vendos, që në këtë proces të përfshihej njëkohësisht edhe “regjistrimi” fillestar i të gjithë bllokut ku kishte ndërtime informale, apo regjistrimi fillestar të bëhej me hartë të unifikuar. Vetëm kështu gjithkush do të gjendej në vendin e vet dhe do jepej material i plotë për pronat me standardin e “duhur”.

Gjatë punës kam konstatuar prona që luajnë nga 20 deri në 100 ml shmangie, për shkak të nivelit teknik të kadastrave të komunave, në parcelat që u ndanë me Ligjin 7501 dhe në atë kohë përgatitëm edhe një material informativ. Por ky defekt vjen edhe për shkak të hartave me sisteme të ndryshme projektimi. Edhe më parë kam shkruar për hartat që zotërojnë ALUIZNI, AKKP-ja dhe ZRPP-ja. Për specialistët, ALUIZNI punon në sistemin UTM, kurse ZRPP-ja në sistemin GAUS-KRYGER, që janë sisteme të ndryshme projektimi.

Pronat ndodhen aty ku janë, por duhet patjetër një koeficient korrektimi, që do sillte unifikimin e hartave. Për këtë iu drejtua zyrtarisht edhe disa institucioneve partnere jashtë vendit, por që asnjëherë nuk e di çfarë u bë. Thuhet se administrohet nga disa “specialistë”, për t’u përdorur në një moment të volitshëm, kur kjo ndërhyrje do bëhet e domosdoshme… Deri më sot është përdorur një sistem mekanik përputhje hartash, metoda e tërheqjes së llastikut, jo e saktë, por me këtë metodë janë dhënë për kompensim miliarda lekë…

Më duhet të them se institucionet e pronësisë duhet të rifreskojnë punët e tyre, në përputhje me zhvillimin e teknologjisë, përmes dixhitalizimit. Më kujtohet një shkresë që na dërgonte AKKP-ja, ku kërkonte informacion për një pasuri, që nuk kishte lidhje me legalizimet, nëse ishte e zënë. Ne i kthyem përgjigje edhe me hartën përkatëse, që atje ndodhej RTV Shqiptar… Institucionet që kanë lidhje me pronësinë kanë një armik të madh, korrupsionin. Korrupsioni luftohet përditë, përmes kontrollit permanent dhe normimit të punës, siç po bën aktualisht hipoteka me masat e marra për normim të shërbimit, jo përmes syrit të keq duke prekur hundën me dorë, për fatin që nuk i ka zbuluar prokuroria… Nëse macja mbyll sytë kur pi qumësht, nuk do të thotë se nuk e shohin të tjerët…

Top Channel