Kriza e thellë e Interit, 5 pikë në 6 ndeshje

01/02/2016 12:05

Interi mund të thuhet se ka hyrë në krizë të thellë. Humbja e derbit me Milanin e çoi në 5 numrin e ndeshjeve pa fitore në Serinë A për zikaltërit, duke bërë që situata të ndryshojë krejtësisht.

Interi në sfidat e fundit në kampionat ka arritur të grumbullojë vetëm 5 pikë. Por ajo që alarmon stafin teknik të zikaltërve është se disfatat kanë ardhur ndaj skuadrave të tilla si Napoli, Fiorentina, Lazio e Milan. Përjashtim në këtë pikë bëjnë vetëm ndeshja me Juventusin, e mbyllur 0-0 dhe fitorja 1-0 me Romën.

Por rezultatet nuk janë problemi i vetëm te Interi. Së fundmi, skuadra është shfaqur nervoze dhe i pari që e tregoi këtë ishte vetë Mancini, i cili gjatë sfidës u pa të bënte edhe një gjest të pahijshëm në drejtim të tifozëve gjatë derbit pasi u përjashtua nga posti i tij nga arbitri D’ Amato. Ajo që është akoma më shqetësuese te Interi është dhe marrëdhënia mes trajnerit dhe Icardit, por edhe Jovetic. Sulmuesi argjentinas nuk ishte në formacionin bazë as në sfidën me Juven e as në derbi, gjë që tregon tensionet në raportet me Mancinin. Ndërsa Jovetic nuk po përjeton momentin më të mirë dhe ç’ është më e keqja, malazezi nuk bën asgjë për ta fshehur.

Përsa i përket lojës së skuadrës, sulmi i Interit nuk po funksionon në këtë moment dhe zikaltërit e kanë problem shënimin e golave, gjë që u pa edhe në derbi, ndërkohë që në mbrojtje kjo skuadër nuk është më aq solide sa në javët e para. Dëshira për t’iu kundërpërgjigjur kritikave për një lojë më shumë mbrojtëse ka sjellë efektin e kundërt. Interi vazhdon të mos prodhojë lojë, ndërkohë që po pëson edhe më shumë gola.

Top Channel