Gara e fortë e kandidatëve, Trump vs Cruz dhe Clinton vs Sanders

01/02/2016 12:25

Kandidatët presidencialë të të dy kampeve në Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë tubimet e fundit në Ajoua, ku nisin sot zgjedhjet paraprake.

Kryesimi i Donald Trump sipas sondazheve të fundit vazhdon, edhe pse disi i tkurrur ndaj Ted Cruz. Ndërsa që të dy janë shkëputur shumë nga rivalët e tjerë.

Pak më e ashpër është gara mes demokratëve, ku senatori i Vermontit, Bernie Sanders i është afruar mjaft ish-zonjës së parë Hillary Clinton, ndonëse kjo e fundit vazhdon ta ruajë epërsinë.

Kandidatët e mësynë përgjatë fundjaves shtetin jo fort të populluar me shpresën që të joshin ata që në shumë raste vendosin fatin e zgjedhjeve: votuesit e lëkundur.

Secili nga pretendentët e dëshiron shumë triumfin në këtë test të parë elektoral, pasi fitorja në Ajoua mund t’i japë hovin e duhur fushatës së tij teksa votimi lëviz pas kësaj në shtete të tjera.

Në Amerikë, të gjithë sytë sot janë mbi Ajoua dhe garën e saj të paparashikueshme. Në krahun demokrat, Hillary Clinton përballet me sfidën e egër të 74-vjeçarit Sanders.

Senatori i Vermontit, që e përshkruan veten si demokrat socialist dhe kërkon rritjen e taksave, nuk lodhet fare të kundërshtojë ata që e shohin si një plakaruq acarues, e ndërkohë mitingjet e tij kanë tërhequr me mijëra e mijëra vetë, si dhe miliona dollarë donacione.

Popullariteti i këtij njeriu, thonë ekspertët, nuk përligjet dot nga mençuria konvencionale politike. Megjithatë, e gjithë kjo garë nga ana tjetër, ka qenë e çuditshme që në fillim.

Në kampin republikan Trump ka një avantazh të rehatshëm, edhe pse jo fare të sigurtë ndaj rivalit të vetë të madh, senatorin e Teksasit, Cruz.

Një pjesë e politikës së njohur të republikanëve e ka kaq shumë halë në sy Donald Trump, saqë ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut dhe miliarderi Michael Bloomberg ka bërë të ditur se do të hedhë kandidaturën për president nëse Trump nominohet nga republikanët dhe Berni Sanders nga demokratët.

Top Channel