Afron seanca gjyqësore për Neymarin

01/02/2016 12:45

Neymar Jr., së bashku me presidentin e Barcelonës Bartomeu dhe Sandro Rosell, pritet të dalin në gjykatë për t’iu përgjigjur akuzave për evazion fiskal në seancën që do të mbahet ditën e martë në Madrid. Sulmuesi brazilian së bashku me babain  e tij, një ditë përpara kësaj séance, në një intervistë për “Globo TV”, dhanë versionin e tyre të fakteve.

“Dua të jem i lumtur në fushën e lojës. Babai im po bën gjithçka që unë të mendoj vetëm për futbollin. Është ai që merret me çështjet e biznesit. Problemi është se kur shikon familjarët të vuajnë për këtë, shkakton dhembje. Përpara se të thuhen gënjeshtrat, duhet të vërtetohen”, u shpreh sulmuesi brazilian.

Akoma më i ashpër ishte babai i Neymar në deklaratën e tij, duke bërë më pas edhe disa sqarime për çështjet për të cilat akuzohet, siç është krijimi i 3 kompanive për të menaxhuar karrierën e të birit: “Nëse ky avokat po kërkon të fitojë protagonizëm, do t’ia arrijë qëllimit. U lodhëm nga e gjithë kjo histori dhe duam t’i qartësojmë gjërat sa më shpejt që të jetë e mundur. Duam të themi mjaft më. Këto kompani u krijuan në vitin 2006, kur Neymar ishte vetëm 14 vjeç. Nuk e di ku qëndron problemi. Kush është ai që krijon një kompani dhe brenda një dite arrin të punësojë 300-400 persona? Ajo që mund të bëja ishte të administroja të drejtat e imazhit të djalit tim”.

Një tjetër problem për familjen Neymar është edhe ajo e shifrës së 40 milionë eurove të përfshirë në tratativat për transferimin e futbollistit në Barcelonë. Neymar Santos Senior deklaroi se kjo është një çështje mes klubit katalanas dhe Santosit dhe se për momentin nuk ka asgjë kundër tyre.

Top Channel