PD: Rama mashtron për makinën e Shullazit, fsheh futjen e saj në doganë

01/02/2016 12:55

Kreu i departamentit të rendit dhe sigurisë në PD, Enkeleid Alibeaj ka akuzuar këtë të hënë kryeministrin Rama se mashtron në lidhje me automjetin e eksponentit të njohur të botës së krimit, Emiliano Shullazi.

“Pas denoncimit që bëmë dje për futjen në doganën e Durrësit të Emiliano Shullazit me një makinë të blinduar, e cila as nuk u ndal dhe as nuk u kontrollua, Edi Rama vuri në shërbim të tij gjithë shtetin dhe nxori një dokument, që në fakt vërteton akuzën tonë. Vërteton kapjen e Doganave me Qebinin e dyshes Tahiri-Shullazi”, ka deklaruar Alibeaj.

Sipas tij, “dokumenti që nxori Edi Rama”, të cilin e ka prezantuar edhe në një ekran, “tregon daljen e Shullazit nga Dogana e Durrësit me një automjet “Audi”, Q7 me targë “AA 655 ME”. E thotë vetë dokumenti: Dalja më 25 janar, ora 21.20”.

“Por dokumenti nuk tregon momentin e hyrjes, pikërisht atë moment që denoncuam dje. Sepse Shullazi është kthyer 3 ditë më pas me makinë tjetër. Me makinë të blinduar. Dhe as nuk është ndalur e as nuk është kontrolluar”, ka vijuar Alibeaj.

“Ku është dokumenti dhe procesverbali i kontrollit gjatë futjes më 28 janar të Emiliano Shullazit me një makinë tjetër, të blinduar, në Pikën e Kalimit Kufitar në Durrës? Me qëllim Rama mundohet të mashtrojë. Tregon një dokument tjetër për tjetër për të mbuluar skandalin. Nuk sqaron dhe as hesht. Jo, jo. Mashtron! Mashtron për llogari të Emiliano Shullazit”, ka thënë ish-ministri i Drejtësisë.

Ai ka nënvizuar se, “pikërisht këtë denoncoi dje Partia Demokratike” dhe ka shtuar se, “me mashtrimin e tij, Edi Rama konfirmon publikisht dhe zyrtarisht lidhjen me Emiliano Shullazin dhe vërteton se ka vënë shtetin në shërbim të tij”.

“Siç ka vënë në shërbim të tij sektorin e forcave operacionale të Tiranës, që në vend që të luftojë krimin, kujdeset për sigurinë e Shullazit dhe kryen shpesh porositë e tij. Ky është shteti i inkriminuar i Edi Ramës. Këto janë lidhjet e tij skandaloze me krimin. Po vjen dita që qytetarët ti shkëpusin këto lidhje të krimit me qeverinë, të kthejnë rendin, ligjin dhe demokracinë në vend”, ka thënë Alibeaj.

Top Channel