Beteja me Brahon në Gjykatën e Lartë, Doshi akuzon prokurorin

01/02/2016 13:05

Deputeti Tom Doshi i kërkon Gjykatës së Lartë të urdhërojë Prokurorinë e Përgjithshme që të hetojë kreun e komisionit të sigurisë kombëtare Spartak Braho për dyshimet se ka shpërdoruar detyrën me letrën që u dërgoi institucioneve kryesore kur i vinte në dijeni për rrezikun e destabilitetit të vendit.

Letra e Brahos vuri në lëvizje institucionet pasi denoncoheshin si destabilizues Prifti- Doshi, si dy njerëzit që i kishin bërë presion bashkëshortes së Kastriot Ismailajt për të dëshmuar kundër Ilir Metës, por prokuroria shpalli mos fillimin e hetimeve.

Avokatë e Doshit i thanë Gjykatës së Lartë se prokuroria nuk ka bërë asnjë veprim hetimor, pasi për këtë çështje u vunë në lëvizje krerët e shtetit. Prokuroria thanë avokatët nuk pyeti asnjë nga anëtarët e komisionit të sigurisë edhe pse prej këtij artikulli u shkaktua panik në vend dhe u cënuan standartet e sigurisë.

Por edhe në gjykatë prokurorët i qëndruan versionit të mos fillimit të hetimeve pasi mungon ana objektive e veprës. Gjatë ditës deputeti Tom Doshi këmbënguli gjithashtu që të shpallej fajtor deputeti i LSI Spartak Braho edhe për padinë tjetër , në të cilën e akuzon se ka shpifur në deklaratën e marsit 2015.

Por prokurori i çështjes kërkoi pafajësi për Brahon me argumentin se frazën që receta mjekësore e Doshit ishte e falsifikuar e ka thënë në vijim të lirisë së fjalës. Në përfundim të gjyqit Doshi e akuzoi prokrorinë se po bënte punën e avokatit të Brahos.

Top Channel