Ndahet nga jeta akademiku Kristo Frashëri

01/02/2016 13:30

Është ndarë nga jeta në moshën 96-vjeçare akademiku Kristo Frashëri. Sipas njoftimit të shpërndarë nga Akademia e Shkencave, profesori është shuar nga shkaqe natyrore mbremjen e së dielës.

Ceremonitë në nderim të tij do të mbahen ditën e mërkurë më 3 shkurt, nga ora 12 deri në ora 13, në Akademinë e Shkencave.

Kristo Frashëri, pinjoll i familjes së madhe të Frashërllinjve, ka qenë një ndër figurat më të njohura duke filluar veprimtarinë e tij shkencore që prej vitit 1938.

Ai ka një numër të madh botimesh studimore, historike, dokumentare dhe shkencore ku janë trajtuar periudha të ndryshme, figura dhe elementë të tjerë përmes të cilëve ka kaluar Shqipëria dhe shqiptarët.

Është e vështirë të bësh sot një përmbledhje të të gjithë veprave të akademikut Frashëri, sepse hapësira e tyre është mjaft e gjerë, ashtu si periudhat historike të trajtuara prej tij.

Një nga shqetësimet më të mëdha të tij e që haset në të gjitha botimet është dëshira e fortë për të sjellë në vend të gjitha deformimet që i janë bërë historiografisë shqiptare ndër shekuj.

Mbeten të rralla veprat e tij për Skëndërbeun, Pernadorinë e Arbërit, Pavarësinë, Rilindjen, kufijtë e cunguar të Shqipërisë në 1913, por edhe për Çamërinë, Epirin, Kosovën, Himarën, shqiptarët e Maqedonisë e deri për kryeqytetin Tiranën.

Kristo Frashëri mban titullin Nderi i Kombit, dhënë nga presidenti i atëhershëm Bamir Topi. Shqipëria humbi padyshim historianin më të madh të 100 viteve të fundit, që megjithatë do të lërë pas veprat e tij si një mënyrë për të mbetur gjithmonë mes njerëzve që duan të shohin e kuptojnë historinë dhe të vërtetat e saj. 

Top Channel