Çmimi i biletës, PD dorëzon në gjykatë padinë

01/02/2016 13:40

Këshilltarët demokratë në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli, Reila Bozdo dhe Fabian Topollaj dorëzuan këtë të hënë në Gjykatën e Apelit Administrativ padinë në lidhje me rritjen e çmimit të biletës së transportit publik.

Kjo padi kundërshton vendimin e marrë nga kryetari i bashkisë. Erion Veliaj, për ta çuar biletën në 40 lekë të reja. Pas dorëzimit të padisë, këshilltari i Partisë Demokratike Fabjan Topollaj u shpreh për mediat.

“Sot, në emër të Partisë Demokratike, dorëzova në gjykatë kërkesën për shfuqizimin e menjëhershëm të vendimit të Erjon Veliajt për rritjen me rreth 40% të çmimit të biletës së transportit urban në Tiranë, si një akt abuziv që do të rëndojë më tej xhepat dhe jetën e qytetarëve të Tiranës”, deklaroi Topollaj.

Partia Demokratike e konsideron këtë akt si një aferë të pastër korruptive të lidhur në fushatën elektorale midis operatorëve të transportit urban dhe Erjon Veliajt, e cila, sipas opozitës, do t’u kushtojë qytetarëve të Tiranës nga xhepat e tyre plot 6 milionë dollarë më shumë çdo vit.

“Gjithashtu, ne kemi kërkuar nga gjykata marrjen e masës së sigurimit të padisë dhe pezullimit të efekteve të këtij vendimi të paligjshëm e abuziv, deri në shqyrtimin e çështjes në themel për shkak se pasojat që sjell për qytetarët ky akt janë të rënda dhe të parikuperueshme”, tha Topollaj.

Ndërkohë, edhe një grup të rinjsh, pjesë e Levizjes për Universitetin kanë protestuar kundër këtij vendimi, me të njëjtin argument se, rëndon më tepër buxhetin e familjeve të kryeqytetit.

Top Channel