Elbasan, banorët e Godoleshit protestojnë për rrugën e fshatit

01/02/2016 14:00

Banorët e fshatit Godolesh, Njësia Administrative Labinot Mal, kanë protestuar para Bashkisë së Elbasanit, të mbështetur edhe nga deputeti demokrat Luciano Boçi, për të kërkuar riparimin e rrugës së dëmtuar që të çon në këtë fshat.

Banorët kërkuan të mos mbeten peng e disa familjeve që pengojnë ndërtimin e rrugës dhe bashkia të gjejë një zgjidhje emergjente që ky fshat të mos mbesë i izoluar.

Pasi pati një takim me përfaqësuesit e bashkisë, deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boçi tha se megjithë këmbënguljen e Bashkisë për të bërë një investim përfundimtar dhe të qëndrueshëm, “ne kërkojmë fillimisht një zgjidhje emergjente, në të kundërt do të vazhdojmë protestat”.

Riparimi i rrugës së këtij fshati kërkon një devijim për shkak të terrenit jo të qëndrueshëm. Një gjë e tillë është kundërshtuar nga banorët, tokat e të cilëve preken nga rruga e re. Madje, sipas Bashkisë së Elbasanit, ata nuk kanë pranuar as të shpronësohen, gjë që vonoi ndërhyrjen në këtë rrugë, në pritje të gjetjes së një zgjidhjeje me mirëkuptim.

Top Channel