Kongresi i PS, Blushi kundër Ramës dhe Ruçit; reagon Xhaçka

01/02/2016 14:15

Kur akrepat e orës po i afroheshin 8-s në mëngjes, Edi Rama mbërriti në selinë e PS për të nisur një ditë të qetë. “Ndalova në respekt të zgjimit tuaj shumë herët. Nuk desha t’ju lë pa përshëndetje. Tani ju më bëni këtë pyetje, që të them të drejtën është një pyetje që rrjedh nga një debat krejtësisht i pakuptimtë, që ka nisur në parti dhe pastaj ka marrë dhenë”, tha kryeministri Edi Rama.

Por, jo gjithmonë dita e mirë duket që në mëngjes.

“Për fat të keq është një grabitje. Ky është një mandat i grabitur, me të cilin nuk mund të pajtohem dhe nuk do të pajtohem kurrë”, tha Ben Blushi, deputet i PS-së.

Zhurma e diskutimeve përpara Kongresit ka mbërritur në mbledhjen e grupit parlamentar socialist. Blushi ka hapur diskutimin se, përse nuk po lejohet gara për postin e kryetarit. Një burim brenda mbledhjes i tha “Top Channel”-it se, Gramoz Ruçi është shprehur kundër asaj që kërkon Blushi. Madje i ka kujtuar atij se është në shkelje të statutit, pasi nuk firmosur kartën e anëtarësisë.

“Nëse për ty ka rëndësi vetëm kryetari i partisë, për postin e të cilit ke shfaqur ambicie dhe të përgëzoj për këtë, për mua rëndësia fillon që nga anëtari i thjeshtë, organizata bazë, kryetari i organizatës, kryetari i njësisë administrative, asambleja e njësisë administrative, Asambleja Kombëtare, Kryesia dhe më pas kryetari i partisë. Nuk ka asnjë shkelje të statutit dhe rregullores. Nuk ka pse të mblidhet sërish Asambleja, ashtu siç vetëm ti kërkon. Ajo u mblodh në korrik, aty pati disa vendime, ku ndër të tjera u caktua dhe muaji i zhvillimit të Kongresit”.

Debatin brenda grupit, Blushi ua përcolli gazetarëve, duke artikuluar akuza të forta ndaj udhëheqësisë së selisë rozë.

“Do të vazhdoj ta bëj këtë debat, sepse është e qartë se po shkojmë në një Kongres, ku nuk zgjidhet kryetari i partisë, dhe kjo është çështje parimore. Është parimore, në një parti që ka vendosur në librin e rregullave të veta, që një herë në 4 vite të ketë zgjedhje për kryetarin. Jemi në vitin e 7, e kjo nuk po ndodh”, tha më tej Ben Blushi.

Përveç këtyre argumenteve, Blushi lëshoi një sfidë të re ndaj kryetarit të PS-së.

“Edi Rama pretendon se paska marrë një milion vota, ku janë edhe votat e LSI-së në mes, janë edhe të PDK-së, janë plot 40 parti aty. Po i bëj një ftesë tjetër. Ka disa precedentë në Europë, kur garat për partinë janë bërë të hapura. Partitë kanë vendosur, apo konkurrentët në garë thërrasin si votues jo vetëm anëtarët e partisë së tyre. Unë jam gati ta bëj. Pra, në qoftë se do Edi Rama, ta zgjerojmë fushën. T’iu thërasim dhe juve si qytetarë të votoni në garën tonë”, tha Blushi.

Reagimi i PS, Xhaçka: Rama ka marrë votat e socialistëve dhe më gjerë
 
“Tony Blair qeverisi vendin për thuajse 11 vite dhe një debat i tillë në partinë e tyre nuk ndodhi kurrë. Një debat i tillë në mes të reformave më të rëndësishme, që synojnë ta fusin vendin në shinat e ligjshmërisë dhe demokracisë, në këtë moment mendoj që është i papërshtatshëm”, u kundërpërgjigj Olta Xhaçka.

Ndocaj, rival i Ramës e Blushit: Kam shumë mbështetje, aq sa të bëhem kryeministër

“Të garosh për partinë më të madhe të Shqipërisë, nuk është tallje. Mund të jetë një sfidë e parealizuar ndoshta, por jo sfidë e fortë. Mund të jetë edhe e realizueshme, sepse kur unë u largova drejt Italisë, nuk e mendoja kurrë se do të ndërtoja qiellgërvishtëse, por i ndërtova. Në Shqipëri mendoj se do të dal kryeministër”, është shprehur gjatë emisionit të paradites, “Wake Up” në Top Channel, deputeti i Parlamentit shqiptar, Eduard Ndocaj.

Top Channel