Ndalohet kreu i hipotekës në Shkodër, shpërdorim detyre dhe kallëzim të rremë

01/02/2016 14:45

Ndalohet me urdhër të prokurorisë kreu i hipotekës së Shkodrës, Shkëlzen Berisha, në akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe kallëzimit të rremë.

Sipas prokurorisë, dyshohet se Berisha dhe dy zyrtarë të tjerët të hipotekës kanë regjistruar një pasuri në pronësi të shtetit, me sipërfaqe 8 mijë m2, në Theth, në emër të një personi që nuk ka aplikuar për regjistrim prone.

Por në fakt ka qënë vetë Berisha që ka bërë denoncimin se ka konstatuar shkelje ligjore të topografit Spartak Haxhija dhe juristit Taulant Bejko, në regjistrimin e kësaj prone. Por nga hetimet rezultoi se në dijeni të saj ishte dhe vetë Berisha. Pas praktikës së sekuestruar në hipotekën e qytetit, rezulton se prona 8000 m2 i është njohur shtetasit GJ.L nga zona e Thethit. Ndërkohë, në hetim rezultoi se shtetasi GJ.L. nuk ka bërë asnjë aplikim për njohjen e asaj prone në emër të tij. Po ashtu, rezultoi që praktika duket si e aplikuar nga një tjetër shtetas me të njëjtat gjeneralitete, GJ.L., por që jeton në një fshat tjetër.

Për këtë çështje është ndaluar pak ditë më parë topografi Spartak Haxhija, i cili është lënë në detyrim paraqitje, dhe juristi Taulant Bejko, në arrest me burg.

Ndaj Shkëlzen Berishës, prokuroria ka krijuar dyshimet se ka ”shpërdoruar detyrën”, si edhe ka bërë ”kallëzim të rremë”, pasi e ka njoftuar faktin e paligjshmërisë sapo ka krijuar dyshimet e tij se mund të mbante përgjegjësi penale për regjistrimin e paligjshëm të pronës në Theth.

Top Channel