Ndocaj, rival i Ramës dhe Blushit: Kam aq mbështetje sa të bëhem kryeministër

01/02/2016 00:00

Deputeti Eduard Ndocaj, tashmë zyrtarisht në garën e kreut për Partinë Socialiste, shpjegoi arsyet e kandidimit të tij. I ftuar në “Wake Up”, ai tha se gjithçka ka nisur si lojë të cilën me shtysën e mbeshtetëvse ai e mori seriozisht.

“Të garosh për partinë më të madhe të Shqipërisë nuk është tallje dhe unë e mora seriozisht kur këtë tallje e nxorrën në media. Mund të jetë sfidë e parealizueshme, por jo tallje. Mund të jetë edhe e realizueshme, sepse unë kur shkova në Itali as që mendoja se do të ndërtoja grataçela, por i ndërtova”, deklaroi Ndocaj.

Dy janë elementët kryesorë që Ndocaj synon të rikthejë në Partinë Socialiste nëse ai shpallet fitues.

“PS pa LSI nuk ka të ardhme, ky është një gabim i madh. PS ka një të ardhme të jashtëzakonshme sepse është partia më e madhe. Ajo ka figura të rëndësishme, por që nuk i ka afruar në këto tre vitet e fundit”, tha Ndocaj.

Ai shtoi se shumë kolegë e kanë marrë në telefon për ta uruar për vendimin e tij.

“Ka që nuk hapin gojën nga frika e përjashtimit, se këtu funksionon edhe kjo pjesë. Të garosh kundër kryeministrit… nuk është e vështirë por të jep adrenalinë. Ata më kanë thënë edhe se do të më votojnë. Nga mesazhet që kam marrë më duket se do të bëhem kryeministër”, u shpreh Ndocaj.

Top Channel