Hagë, nis arbitrazhi ndërkombëtar për Postën dhe Telekomin e Kosovës

01/02/2016 00:00

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, në Hagë, këtë të hënë ka nisur beteja ligjore mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Axos Capital”, e cila kërkon dëmshpërblim prej 50 milionë eurosh, për shkak të ndërprerjes së procesit të privatizimit të Post-Telekomit të Kosovës, nga ana e qeverisë kosovare.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, në Prishtinë, nuk kanë preferuar të flasin për nisjen e ballafaqimit në Gjykatën e Arbitrazhit, me arsyetimin se deklarimet në këtë fazë mund të përdoren nga kompania “Axos Capital”, si ndërhyrje në proces.

Seanca e parë e mbajtur të hënën, sipas Qeverisë së Kosovës është seancë informuese, ku palët pajtohen për procedurat dhe afatet kohore, si dhe për seancën e radhës.

Kosovën, në këtë proces gjyqësor po e përfaqëson kompania amerikane “Patton Bogs”, e cila është në pronësi të ish-ambasadorit amerikan, Frank Wisner, ndërsa për këtë mbrojtje ajo do të paguhet me 17 mijë e 700 dollarë.

Mësohet se, në seancën e parë në Gjykatën e Arbitrazhit, kompania mbrojtëse e Kosovës ka paraqitur argumente ligjore, se kompania “Axos Capital” ka qenë e njoftuar prej fillimit se, Qeveria e Kosovës mund ta ndërpresë kontratën në çdo kohë dhe se, për këtë shteti nuk ka asnjë përgjegjësi ndaj saj.

Top Channel