Kosovë, veteranët e UÇK kërkojnë pensionet

01/02/2016 16:10

Dhjetëra veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë dhënë ultimatum qeverisë deri në fund të këtij muaji që t’ua paguajë pensionet që u takojnë edhe rreth 4 mijë veteranëve që ende nuk i kanë marrë.

Në të kundërt, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka paralajmëruar përshkallëzim të protestës së ardhshme.

“Kjo është një shenjë paralajmërimi se në rast se qeveria e Kosovës nuk i kryen detyrimet ndaj veteranëve deri në fund të këtij muaji, atëherë nuk mund të garantojmë se protestat e radhës do të jenë të qeta, për arsye se po u bëhet një padrejtësi veteranëve të luftës dhe janë në presion për shkak të këtyre padrejtësive”, deklaroi Qeriqi.

Përveç kërkesës për pensionet, veteranët kërkuan nga qeveria që të rishikojë listat dhe të largojë nga to përfituesit që, sipas Qeriqit, nuk kanë qenë fare në luftë.

Por ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha se veteranët nuk kanë arsye të protestojnë, pasi sipas tij, pas 16 viteve pritje, tanimë shumica e tyre kanë filluar të marrin pensionet që u takojnë.

Abrashi sqaroi përmes telefonit për Top Channel se do të paguajnë edhe pjesën tjetër të veteranëve sapo të përfundojë verifikimi i statusit të tyre.

Ai tha se verifikimi i veteranëve të mbetur po merr pak kohë pasi duhet të bëhet kompletimi i dosjeve, ku nevojitet verifikimi në administratën tatimore, verifikimi në Trustin Pensional e deri tek hapja e llogarive bankare.

Top Channel