Nga Latakia, Putin mund të “kontrollojë” Mesdheun

01/02/2016 00:00

Në Latakia ka vendosur me dhjetëra avionë e raketa, e kështu, Putini mund të kontrollojë një pjesë të mirë të Mesdheut.

“Corriere della Sera” e ilustron me pamjet e marra nga një satelit izraelit, pretendimin e një dislokimi masiv avionësh “Sukhoi” të modeleve të ndryshme e baterish të raketave, nga ana e Moskës në Lindjen e Mesme.

“Nuk është një arsenal armësh nga ato që përdoren për aksione të shkurtra e të shpejta”, argumenton e përditshmja prestigjioze italiane.

Më 26 janar, – shpjegon artikulli, – sateliti izraelit ‘Eros B’, i lëshuar prillin e vitit 2006 nga ‘ImageSat International’ edhe për të monitoruar ndër të tjera zhvillimin e programit atomik të Iranit, kaloi mbi rajon në njërin prej orbitimeve të tij rutinë. Këtë herë ama, arriti të siguronte pamje nga lart të bazës së aviacionit ushtarak rus në Latakia të Sirisë; mjete të tjera fluturuese, raketa shtesë, hangarë të rinj. Të gjitha këto, në brigjet e Mesdheut.

Për Tal Inbar, kreu i qendrës së kërkimeve hapësinore pranë institutit “Fisher”, kjo është prova se Moska nuk ka zbarkuar në Siri për një operacion të përkohshëm. Lloji i pajisjeve dhe armatimeve të dërguara atje, tregojnë qartë se rusët janë në atë vend për të qëndruar, e kjo ndryshon situtatën strategjike në rajon, citohet të ketë thënë ai.

Pas rrëzimit të avionit rus nga turqit, në fund të muajit nëntor, Moska e pajisi bazën në fjalë me sistemin antiajror “S-400”: bateritë raketore shihen qartë në fotot e satelitit izraelit. Bëhet fjalë për një sistem tepër të fuqishëm me rreze veprimi 400 kilometra. Kjo do të thotë se tashmë, Vladimir Putin, – vazhdon Inbar, – nëse dëshiron, do të jetë në gjendje të kufizojë veprimet dhe sulmet e çfarëdolloj aviacioni në një pjesë të mirë të Mesdheut.

Top Channel