Kriza e refugjatëve do t’i kushtojë plot 50 mld euro Gjermanisë

01/02/2016 00:00

Një studim i ri në Gjermani, i publikuar gjatë kësaj të hëne, bën të ditur se strehimi i refugjatëve gjatë krizës më të rëndë në BE që prej Luftës së Dytë Botërore do t’i kushtojë Berlinit zyrtar jo më pak se 38 miliardë paund, apo rreth 50 miliardë euro.

Instituti gjerman për Ekonominë, me seli në Këln, ka bërë një projeksion të kostove për ushqim, strehim dhe edukim të fëmijëve të mbi një milion emigrantëve, të cilët kanë hyrë në Gjermani gjatë vitit të kaluar.

Qeveria e Angela Merkelit raportohet të jetë duke menduar tashmë mënyra të reja të taksimit të popullit, në përpjekje për të ndihmuar sadopak në zbutjen e kësaj fature të hidhur, edhe pse aktualisht Gjermania është një prej vendeve me taksat më të larta në botë.

Nëse ekspertët e Këlnit nuk gabohen në parashikimet e tyre, Ministria gjermane e Financave do të duhet të kërkojë një huamarrje të re për emigrantët deri në fund të këtij viti. “Një rishikim me theks kritik i shpenzimeve është mëse i domosdoshëm për të shmangur një borxh të ri”, shkruajnë autorët e studimit.

Shifrat, të cilat janë përllogaritur për vitin aktual dhe atë pasardhës, vijnë në një periudhë shqetësuese për qeverinë gjermane, e cila është kritikuar ashpër që prej sulmeve me sfond seksual të natës së Vitit të Ri në Këln, e që tashmë po lufton për të rikthyer besimin e votuesve, të cilët me të gjitha gjasat do ta dënojnë atë në rajonet kryesore, gjatë zgjedhjeve lokale të muajit mars.

Tensionet mbeten ende të larta mes shumëllojshmërisë së komuniteteve në Gjermani, aty ku janë strehuar emigrantët, ndërsa policia ka paralajmëruar se i frikësohet rritjes së valës së dhunshme gjatë së ardhmes së afërt. Angela Merkel është kritikuar ashpër për politikën e saj të “dyerve të hapura”, që rezultoi në hyrjen e rreth 1,1 milionë refugjatëve dhe emigrantëve në Gjermani gjatë vitit të kaluar.

Top Channel