Ndërpriten hetimet ndaj ish-kreut të Kushtetueses, Enver Hasani

01/02/2016 00:00

Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë një vendim, sipas të cilit refuzon kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për hetim të veçantë ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, duke u bazuar mbi imunitetin që ai gëzon.

Prokuroria Speciale e ka akuzuar Hasanin se kishte nxjerrë një aktvendim për papranueshmëri, për një rast që e kishte denoncuar Avokati i Popullit, e që kishte të bënte me emërimet e 3 gjykatësve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese, nga ana e Presidentes Atifete Jahjaga.

Organi hetimor e akuzon gjithashtu Hasanin se, me dashje, ka shënuar të dhëna të rreme në aktvendimin mbi papranueshmërinë, duke shënuar në faqen e parë të tij edhe emrin e një gjyqtari, Robert Carolan, si pjesëmarrës në trajtimin e çështjes kushtetuese, ndërsa ky i fundit – sipas aktakuzës, – nuk kishte marrë pjesë në trajtimin e kësaj çështjeje.

Tashmë, një panel i Gjykatës Themelore të Prishtinës, më konkretisht Departamenti për Krimet e Rënda, ka dalë në përfundimin se kërkesa e Prokurorisë Speciale për “zbatimin e mundësisë së hetimit të veçantë është e pabazuar, nuk mund të pranohet dhe rrjedhimisht refuzohet, për shkak se çështja në fjalë ka të bëjë me imunitet funksional të kryetarit dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetueses të Republikës së Kosovës”.

Si arsyetim tjetër në aktvendimin e Gjykatës Themelore përmendet edhe pavarësia në vendimarrje e kryetarit dhe gjykatësve, “pavarësi që garantohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi”. Për këtë arsye, aktgjykimi bën të ditur se, “procedimet kundër Enver Hasanit dhe Arta Rama-Hajrizit nuk kanë mundur madje as të nisin, ndërsa nuk duhet të vazhdojnë për shkak të imunitetit të tyre funksional”.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani dyshohej për veprën penale të “shpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “falsifikim të dokumentit zyrtar”.

Top Channel