Arrestohet për tendera fiktivë kreu i Shëndetit Publik në Devoll

01/02/2016 18:05

Drejtori i Shëndetit Publik në Devoll, Valent Nallbati u arrestuar me urdhër të Prokurorisë me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumentave.

Prokuroria e Korçës njofton se ndaj Nallbatit ka nisur hetimin pas një letre anonime të mbërritur në zyrën e saj, në të cilën kallëzohej fakti se nga ana e Drejtorit Rajonal po zhvillohej një procedurë fiktive për rikonstruksionin e godinës së institucionit që ai drejton. Në letër thuhej se drejtori kishte kryer disa pune ”dekorative” me shpenzimet e tij dhe për këtë arsye po zhvillonte një tender fiktiv, për të marrë pas paratë që kishte shpenzuar. Gjithnjë sipas kallëzimit, ishte paracaktuar edhe një kompani me qendër në Tiranë, e cila që do të fitonte tenderin.

Në kuadër të veprimeve verifikuese, Prokuroria e Korçës konstatoi se godina e Drejtorisë së Shëndetit Publik ishte rikonstruktuar në vitin 2011 dhe ndërkohë nuk po kryhej asnjë punim në të. Në vijim, u konsultua buletini i Prokurimit Publik, në të cilën u konstatua se ishte bërë procedura e tenderit për rikonstruksionin e godinës dhe ishte shpallur fituese një kompani me seli dytësore në Kamëz, Tiranë.

Vlera e tenderit për rikonstruksionin e godinës së Drejtorisë së Shëndetit Publik Devoll ishte parashikuar rreth 2.4 milionë lekë. Nga buletini i Prokurimit Publik rezulton se kompania ishte shpallur fitues me ofertën 1.7 milionë lekë, dukshëm nën koston e asaj që ishte parashikuar në dosjen e tenderit.

Në bazë të ligjit për ”Prokurorimit Publik”, kompania fituese e tenderit duhej të ishte skualifikuar për ”ofertë anomalisht të ulët”, por nga ana e entit kontraktues kompania është shpallur fituese fillimisht. Gjithsesi, pas ankesave ndaj kësaj procedure prokurimi, enti prokurues, Drejtoria e Shëndetit Publik, ka anuluar procedurën.

Por, pavarësisht se është anuluar procedura, Prokuroria e Korçës vlerëson se nga ana e Drejtorit Rajonal, Valent Nallbati janë konsumuar elementët e veprave penale të ”fallsifikimit të dokumentave dhe ”Shpërdorimit të detyrës”. Kjo, për faktin se nga ana e zyrtarit janë kryer të gjitha procedurat fiktive për realizimin e prokurimit publik.

Në këto kushte, Prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë ”arrest me burg” për Drejtorin Rajonal të Shëndetit Publik në Devoll. Kërkesa u pranua nga gjykata dhe vendimi u zbatua nga ana e Policisë së Shtetit mesditën e së hënës.

Top Channel