Kosovë, kardiologët ndërpresin grevën pas takimit me kreun e Shëndetësisë

01/02/2016 00:00

Kardiologët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë ndërprerë grevën, në të cilën u futën ditë më parë në shenjë pakënaqësie ndaj Prokurorisë Speciale, e cila njoftoi se po hetonte rreth 100 të dyshuar – shumica prej të cilëve kardiologë, – për skandalin e “bypass”-eve.

Ndërprerja e grevës së kardiologëve ka ndodhur pas një takimi, që mjekët kishin me ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani, si dhe me drejtorin e Përgjithshëm të QKUK-së, Curr Gjocaj.

Sipas njoftimit të Qendrës Klinike Universitare, ministri Rrahmani ka thënë se kardiologët nuk janë kundër hetimeve të prokurorisë dhe se i përkrahin ato, por janë kundër mënyrës sesi janë bërë publike ato.

Edhe kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, i cili ka qenë në takimin me ministrin dhe kardiologët, tha se janë kundër linçimit dhe etiketimit publik që po u bëhet mjekëve, por nuk janë kundër hetimeve që po bën Prokuroria.

Syla paralajmëroi se, nëse do të përsëriten raste të tilla të linçimit publik ndaj punëtorëve të shëndetësisë, sindikata do të ndërmarrë masa radikale.

Deklarimet e ministrit të Shëndetësisë dhe punonjësve të tjerë të shëndetësisë, se Prokuroria nuk duhet të flasë për hetimet e mjekëve, nga zyra e kryeprokurorit të Shtetit janë cilësuar si presion mbi Prokurorinë.

Top Channel