Pogradec, 24 të plagosur nga shpërthimi i bombolës së gazit brenda lokalit

01/02/2016 18:25

Shpërthimi i një bombole gazi në një lokal në fshatin Beragozhd në Pogradec plagosi 24 persona.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 18:00 të së hënës në një lokal në qendër të fshatit. Mes të plagosurve kanë qenë edhe disa të rinj të grupmoshës 14 deri në 20 vjeç, një pjesë e të cilëve në gjendje të rëndë.

“Ishin brenda në lokal dhe menjëherë shpërthyen flakët. Unë u hodha nga dritarja. Dëgjova zhurmë e kam parë vetëm flakë. Njerëzit ishin të djegur”, shprehet njëri prej të rinjve që ndodhej në lokal.

Në Spitalin e Pogradecit u dërguan menjëherë të gjithë të dëmtuarit, por pjesa më e madhe e tyre u nisën drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë pasi në gjithë qarkun juglindor nuk ka mjekë specialistë për djegiet dhe as reparte të posaçme për raste të tilla urgjente.

Sipas ministrit Beqaj, i cili i vizitoi nga afër pacientët, 6 prej tyre janë në gjendje më të rëndë.

“Po trajtohen të gjithë këtu. Furnizimet e nevojshme me barna e materiale mjekësore ndodhen në spital. Sigurisht që është ende shpejtë për të bërë një prognozë për ecurinë”, u shpreh ministri i Shëndetësisë.

Do të duhej një ngjarje e tillë, që për herë të parë publikisht, Partia Demokrati pas më shumë se dy vitesh sulme, të dilte në krah të Ilir Beqajt.

“Situata po ndiqet me seriozitet nga ekipet mjekësore dhe po bëhet ç’është e mundur për ta kaluar sa më lehtë këtë situatë të vështirë. Jam dakord me zotin ministër, pasi është dakord për të bërë vlerësime përfundimtare”, tha Tritan Shehu.

I pranishëm në QSUT ishte dhe Kryeministri Edi Rama, i cili pa nga afër gjendjen e të plagosurve, por nuk bëri asnjë koment për mediat.

Në QSUT për të vizituar të plagosurit ishte edhe kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili. Ai i uroi shërim të shpejt të lënduarve, ndërsa tha se situata është në ndjekjen e mjekëve, të cilët po ofrojnë trajtim profesional dhe të shpejtë. “Të lënduarit me trajtim të plotë dhe terapeutik e kirurgjikal.  Stafi i QSUT është në gatishmërinë e duhur”, tha Vasili.

Ndërkaq, nga hetimet paraprake, rezulton se në lokal përdoreshin dy bombola gazi dhe një sobë zjarri me dru. Njëra nga bombolat ka qenë në gjendje pune, e mbushur, ndërsa tjetra, ka qenë e plasaritur dhe për pasojë ka shkaktuar rrjedhje gazi, çka dyshohet të ketë sjell dhe shpërthimin.

 

FOTO GALERI
1/4

Top Channel