“Shqipëria tjetër”, të humbur në hartë

01/02/2016 00:00

Një rrugë e çuditshme, diku e shkatërruar e diku e shtruar vetëm në njërën korsi, të drejton për në Torovicë. Kjo vetëm pak kilometra, sepse pjesa tjetër është e mbytur në gropa. Që prej kohës kur aksi kombëtar, që lidh kryeqytetin me Shkodrën kaloi në krahun tjetër, kjo zonë mbeti tërësisht jashtë harte. Duhen mëse 40 minuta për 11 kilometra, deri në Torovicë.

“Edhe pse gjeografikisht nuk është një zonë e thellë, Torovica duket më shumë se e tillë. E këtë mund ta dallosh kudo në këtë vend, nga i cili banorët – për fat të keq, – duan veç të largohen. Gjithçka tjetër është një përballje me papunësinë, varfërinë dhe shpresën e munguar që ka e gjithë kjo zonë”.

Zona, në masë dërrmuese ka filluar të popullohet rreth viteve ’70, kur nisi edhe tharja e kënetës së Torovicës, përmes punës së të burgosurve. Gjurmët e asaj kohe janë aty dhe dallohen kudo, në pallatet e kohës që mezi mbahen ende në këmbë. Këtu qëndronin banorët e rinj, ndërsa disa kilometra më tej ngrihej kampi famëkeq i të burgosurve. Të ecësh sot në këto rrugica është si të prekësh një fotografi të vjetër: gjithkund, veç shkatërrim e rrënim. E të mendosh se në të gjithë këtë zonë, ku përfshihen gjithashtu edhe Malecaj, Koljakaj e Shkëmbi i kuq, jetojnë mëse 5 mijë banorë.

“Mos i përmend emrin Torovicës, veç shfaq filmimet e do të thuash që ndodhesh në Kandahar, në Irak, Siri e askund tjetër. Kjo është situata këtu, mbeturina në të 4 qoshet, të pasistemuara, të parregulluara… Këtu është si në xhungël”, thotë Rrok Figuli.

Dikur, të gjithë tokat e përfituara nga tharja e kënetes prodhonin. Edhe sot mbillen, por mungesa e investimeve ka bërë që ato të japin veç çikërrima, asgjë tjetër. Rendiment nuk ka, sepse në një periudhë të vitit zona përmbytet, në tjetrën s’ka ujë. Atëherë, ç’duhet të bëjnë në këtë situatë banorët?

“Dikur, mbillje një dynym grurë apo misër dhe merrnim 5-6 kuintalë për dynym. Këtu është mbjellë misër, grurë, panxhar, lule dielli, madje edhe bostan që ka pasur prodhim tepër të lartë. Por qysh prej ’90-s e këtej, ne mbjellim dhe nuk korrim”, thotë Ndue Marku.

Më së shumti njerëzit mbahen duke mbledhur sherebel, të tjerë kanë marrë rrugën e largimit. Vetëm kohët e fundit, duke mos pasur asnjë alternativë për të mbijetuar, mëse 60 familje i janë shtuar numrit të azilkërkuesve jashtë Shqipërisë.

“Pjesa më e madhe mbjellin sherebel. Edhe ajo ka një çmim katastrofik prej 60 lekësh kilogrami. Jemi në një varfëri ekstreme, çfarë të të them. Minimumi një kuintal sherebelë, me 60 lekë kilogramin, nga 1.000 lekë që ka qenë. Njerëzit do dalin, se s’kanë çfarë të bëjnë”, thotë Fatmir Vukzaj.

Torovica, që dikur ka pasur spital me krevate, sot s’ka mjekë. Ka pasur shkollë të mesme, ndryshe nga aktualisht, ku mëse 50 të rinj që mbarojnë 9-vjeçaren në të gjithë zonën, detyrohen të shkojnë në Balldren, Lezhë apo Bushat. Torovicës sot i ka mbetur pak gjë.

“Fondi i rrugës, që është amortizuar, është bërë kabull prej 25 vitesh. Nuk e dimë kush e ka marrë fondin, i kanë vjedhur. Ne jemi populli më i prapambetur”, thotë Ndue Përlleshi.

“Rruga është shumë e keqe, shkollë të mesme këtu nuk ka edhe pse ka pasur. Fusha përmbytet sa herë bie shi. Përsa i përket zonën së Torovicës, për 25 vite ne jemi minus. Shumë njerëz po largohen për një jetë më të mirë, por s’po e gjejnë as atë”, thotë Genc Mhillaj.

Pak më tej jetojnë edhe të burgosurit “modernë” të kampit të dikurshëm. Janë banorë të zbritur në periudha të ndryshme nga zona të thella, e që marrin frymë në këtë vend. Vështirë të kuptosh sesi mbahen ende në këmbë këto godina, kur lagështira ka hedhur rrënjët kudo, e skeletet e shkërmoqura duket sikur do të përpijnë nga çasti në çast të gjithë banorët. Vetëm këtu jetojnë mëse 40 familje, në këto kushte më shumë se ekstreme.

“Gjendje e mjerueshme mor burrë, shiko e shkruaj. Që në kohën e komunizmit s’ka ardhur njeri të vendosë dorë këtu. Po bien pallatet përbrenda, njerëzit po vdesin për një copë buke”, thotë Gëzim Dushku.

Tokat në këtë pjesë janë ende të baltosura. Kanalizimet e ujërave të zeza derdhen kudo, uji i pijshëm mungon, e gjithçka më së shumti bëhet me kafshë.

“Unë jam 25 vjeç dhe s’kam asnjë të ardhur. Për të shkuar në Lezhë të punoj, mua më duhen 200 lekë, gjë që i bie 6.000 lekë në muaj. Të shkoj të punoj për transportin, apo për familjen? Pastaj rruga është copë-copë, ju e keni parë vet, apo jo”, thotë Arti Permandoj.

“Banorët jetojnë me bukë të thatë, pa e njomur hiç. Gjysma lypin, gjysma rri pa ngrënë, dalin e kërkojnë punë e vijnë të hanë një çap bukë. Pa punë janë te shtëpia”, thotë Gëzim Gjeloshaj.

Aq varfëri ka në këtë vend, sa edhe Migjeni do ta kishte të vështirë ta shprehte.

“Si ka thënë gruaja e huaj, halli ta kalli… Kështu është, nga të shkojmë ne të shkretët. Na kanë thënë do të vijmë t’i ndreqim kanalet, dreq kanë bërë. Si çajnë kryet për, kujtohen të vijnë vetëm për vota”, thotë Preng Sherri.

Torovica ndodhet rreth 18 kilometra nga qyteti i Lezhës, pjesë e të cilit janë me ndarjen e re territoriale. E megjithatë duket pafund larg, ose më mirë sikur nuk është as në hartë.

Top Channel