Greqi, goditet rrjeti ballkanik i kontrabandës së cigareve. 29 të arrestuar, një shqiptar në kërkim

01/02/2016 00:00

Autoritetet greke i kanë dhënë një goditje të rëndë trafikut të cigareve kontrabandë. Gjatë një operacioni të kryer në Selanik dhe Athinë janë arrestuar 29 vetë, midis tyre dhe krerët e organizatës, 41 dhe 34 vjeç, ndërsa janë proceduar ose janë shpallur në kërkim edhe 51 persona të tjerë.

Të arrestuarit janë kryesisht grekë, bullgarë dhe nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Burime policore i thanë Top Channel se, mes personave të shpallur në kërkim janë disa grekë, rusë, ukrainas, një maqedonas dhe një shqiptar.

Deri tani janë sekuestruar, në magazina ose të ngarkuara nëpër kamionë dhe furgonë, më tepër se 8000 koli cigaresh, teksa vlera e taksave doganore të papaguara dhe të përfituara prej organizatës i kalon 19 milionë eurot.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 55.000 euro “cash”, 6 furgonë, 10 autovetura, një kamion, kompjutera, lista me sasitë e mallrave të magazinuara; një regjistër shitjesh ku pasqyrohen emrat e koduar të blerësve, vendet ku trafikoheshin cigaret kontrabandë, si dhe shumat përkatëse për çdo lëvizje malli; por edhe dy magazina që shërbenin për përpunimin e ngarkesave kontrabandë.

Agjentët e policisë thonë se, kanë dyshime që organizata ka trafikuar më shumë se 110.000 koli cigaresh vetëm gjatë një viti, kurse shumat e përfituara prej trafikantëve vlerësohen si astronomike.

Sipas autoriteteve greke, sasia e cigareve kontrabandë ngarkohej në anije ruse ose ukrainase në Emiratet Arabe, Qipro dhe Turqi, e në vazhdim nëpërmjet Portit të Pireut hynin në Greqi. Fillimisht ato shkarkoheshin në Portin e Pireut, ndërsa më pas përpunoheshin në vendin e quajtur Aspropirgo në Athinë. Me kamionë, ato dërgoheshin në Selanik, teksa shumica e tyre kishte si destinacion Bullgarinë.

Në magazinën e Athinës, agjentët gjetën edhe të dhëna se, një pjesë e konsiderueshme cigaresh kontrabandë dërgohej me kamionë në Maqedoni, por edhe në Shqipëri. Burime policore i thanë Top Channel se, në Shqipëri, ngarkesa dërgohej e fshehur në shasitë e kamionëve dhe të autobusëve të linjave që lidhin vendin tonë me Greqinë.

Sipas burimeve, trafikantët shfrytëzojnë shkallën e lartë të korrupsionit në doganat shqiptare dhe mungesën e kontrolleve të imëta të policisë gjatë hyrjes për në Shqipëri. Autoritetet greke dyshojnë se, sasi të mëdha mallrash kontrabandë hyjnë të fshehura në shasitë e mjeteve të rënda në vendin tonë.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel