Ripyllëzimi i zonave të dëmtuara nga erozioni. Rama: Dënime për krimet mjedisore

02/02/2016 00:00

Nisi ripyllëzimi i zonës së degraduar përgjatë lumit Shushicë dhe sistemimi i shtratit të lumit Shkumbin të dëmtuar nga erozioni.

Janë tre mijë fidanë akacie dhe plepa që do të mbillen në një sipërfaqe prej 2 hektarësh, në një nga zonat ku efekti i erozionit ka shkaktuar dëme.

Ministri Lefter Koka ka shpjeguar arsyet e nisjes se këtij projekti.

“Kjo është një nga pjesët e dëmtuara pas reshjeve. Fenomeni më i fundit që po ndodh në Shqipëri, jo vetëm përmbytjet që ndodhin në mënyrë tradicionale në veriun e Shqipërisë, në ultësirat e Lezhës, tashmë kanë filluar edhe në zonën e Jugut, por dhe këtu në Elbasan”, tha Koka.

“Kjo është kostoja e tmerrshme e shumë viteve shfrytëzim barbar. Moratoriumi është e vetmja përgjigje për të pasur një ripërtëritje të të gjithë pyjeve dhe për të rivendosur ekuilibrat natyrorë, pa të cilët nuk ka pritë, nuk ka shtet që e mbron dot popullin nga uji. Gjatë viteve të qeverisë së kaluar janë dhënë 3 leje në vit për shfrytëzim pyjesh dhe gjithsej 2600 leje shfrytëzimi për pyje që është një çmenduri më vete. Ndërkohë që ne në 2 vjet kemi njohur 24 kontrata. Do të bëjmë dhe një tjetër hap me lumenjtë për të vendosur rregulla strikte. Shumë shpejt do të kalojmë dhe paketën për Kodin Penal kundër krimit mjedisor. Me gjithë këto masa, në harkun e 5 viteve, gjerat do të vihen në kontroll të plotë dhe do të fillojë rigjenerimi dhe në harkun e 10 viteve Shqipëria do të ketë një pamje krejt tjetër, për sa i përket ekuilibrave të natyrës”, u shpreh Kryeministri Rama.

Top Channel