PD: Abuzim me Urgjencën. Shëndetësia: Nuk mbyllet, rritet cilësia

02/02/2016 00:00

Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, demokratja Albana Vokshi, ishte në Urgjencën e Tiranës për të adresuar një akuzë të re për Ministrinë e Shëndetësisë.

“Denoncojmë atë që në horizont duket si një aferë tjetër e ministrit të Shëndetësisë, për të dhënë me koncesion Urgjencën. Nuk ka ngelur gjë tjetër, të japë edhe stafin mjekësor dhe jo-mjekësor me koncesion”, tha Vokshi.

Deputetët demokratë ishin tek Urgjenca e Tiranës, e cila trajton rreth 30 mijë raste në vit sepse stafi atje është ankuar se me urdhër të ministrit duhet të shpërngulen te “Nënë Tereza”, te “Trauma” dhe “Sanatoriumi”. Kjo gjë, sipas PD-së, është një shkelje flagrante e ligjit për shërbimin e Urgjencës.

“Qëndrimi jonë është që ky shërbim që ka më shumë se 50 vjet që funksionon në Tiranë të ngelet kështu, pasi edhe populli i Tiranës e di këtë adresë, këtë institucion dhe kërkon ndihmë mjekësore në këtë numër telefoni në këtë ambient”, shprehet mjeku i Urgjencës, Sali Rexhepi.

“Askush nga këtë mjekë që ne kemi këtu nuk di se në cilin spital. Nesër, pasnesër, në shpërbërje të Urgjencës, qytetarët shqiptarë kanë mundësi që mund të mbeten pa një trajtim urgjence, shëndetësore në shtëpitë e tyre, apo edhe aksidentet që ndodhin në rrugë”, tha deputetja e PD-së.

Por, Ministria e Shëndetësisë reagoi menjëherë duke thënë se “shërbimi i Urgjencës Mjekësore për Tiranën as nuk mbyllet dhe as nuk shkrihet”.

Sipas ministrisë, ky shërbim po riorganizohet për të rritur cilësinë e këtij shërbimi dhe se çdo pretendim tjetër është i pavërtetë.

“Riorganizimi ka në themel ngritjen e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, e cila do të presë të gjitha telefonatat e urgjencës dhe do të koordinojë punën për t’u ardhur në ndihme qytetarëve me më shumë ambulanca dhe staf të kualifikuar”, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë.

Top Channel