Gjenden në Liban 5 turistët çekë të zhdukur 7 muaj më parë

02/02/2016 05:30

Pesë shtetasit çekë që u zhdukën korrikun e vitit 2015 në Liban janë gjetur dhe po qëndrojnë nën kujdesin e forcave të sigurisë të këtij shteti, thonë zyrtarë çekë.

Me anë të një deklarate, Ministria e Jashtme e Çekisë ka njoftuar se 5 personat janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa do të rikthehen në atdheun e tyre me anë të një avioni të posaçëm. Detaje të tjera ende nuk dihen.

Automjeti i tyre u gjet në korrikun e vitit të kaluar i braktisur në rajonin Kefraya. Në automjet u gjetën pasaportat, paratë dhe aparatet fotografikë. Një operacion i gjerë nisi në atë kohë menjëherë mes frikës së grupi mund të ishte rrëmbyer.

Mediat shkruan vitin e kaluar se zhdukja e turistëve çekë mund të kishte lidhje me arrestimin dhe mbajtjen në Çeki të një shtetasi libanez, i cili akuzohej për kontrabandë të armëve.

Në vitin 2011, 7 çiklistë estonezë u rrëmbyen në luginën Bekaa dhe u liruan katër muaj më vonë.

Top Channel