Pogradec, pranga pronarit të lokalit ku ndodhi shpërthimi

02/02/2016 08:45

Është arrestuar në flagrancë pronari i lokalit në fshatin Dardhas të Pogradecit, ku nga shpërthimi i bombulës një ditë më parë mbetën të lënduar 24 persona.

Burime policore lokale bëjnë të ditur se, personi në fjalë është shtetasi Romario Muçka, ndaj të cilit rëndojnë akuzat e “plagosjes së rëndë nga pakujdesia” dhe “shkelje e rregullave për lëndët plasëse”.

Nga personat e plagosur, 14 janë transportuar në Tiranë për mjekim të specializuar, 3 ndodhen në spitalin rajonal të Korçës dhe 7 në spitalin e Pogradecit, jashtë rrezikut për jetën.

Të shtruarit në Spitalin e Traumës, dy prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, janë vizituar edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Burimet policore shtojnë më tej se materialet e mbledhura në ngarkim të 20-vjeçarit Muçka i kanë kaluar prokurorisë për procedimin e mëtejshëm të tij.

Top Channel