SHBA, Ted Cruz fiton ndaj Trump në Ajoua; Clinton-Sanders barazim

02/02/2016 09:15

Senatori i Teksasit, Ted Cruz ka fituar garën mes kandidatëve republikanë në Ajoua, që ishte dhe vota e parë për zgjedhjet presidenciale të SHBA të këtij viti.

“Kjo e sotmja është një fitore për konservatorët kurajozë”, deklaroi Cruz teksa duartrokitej. Ai mori 28 për qind të votave të republikanëve, duke mundur rivalin e tij Donald Tramp, por edhe Marco Rubio.

Ndërkohë, në kampin demokrat situata  ka ngecur në vend. Ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton dhe senatori i Vermontit Bernie Sanders, që e përshkruan veten si socialist demokrat, janë kokë më kokë, me një rezultat të barabartë, 50% të votave secili.

Ish-guvernatori i shtetit të Merilendit, kandidati demokrat Martin O’Malley, i cili u paraqit dobët në garë, njoftoi pezullimin e fushatës së tij. Të njëjtën gjë vendosi të bëjë dhe kandidati republikan Mike Huckabee, ish-guvernator i Arkansasit, i cili pati fituar në Ajoua në 2008-n.

Nuk ka asnjë dyshim mbi fitoren e Ted Cruz, triumfi i të cilit ishte një shpërblim për muajt e kaluar në këtë shtet për të nxitur prirjet e tij konservatore.

“Ajoua dha mesazhin se nominimet e republikanëve dhe presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara nuk do të zgjidhen nga mediat dhe as nga themelet e Uashingtonit”, deklaroi Cruz.

“Kjo e sotmja është një fitore për konservatorët kurajozë në gjithë Ajouan dhe mbarë gjithë këtij kombi të madh”, shtoi ai. Donald Trump uroi senatorin e Teksasit për fitoren dhe tha se ndihej “i nderuar” me vendin e dytë.

Ndërsa Marco Rubio, që në muajt e fundit është përpjekur shumë për të fituar mbështetje, përfundoi në vendin e tretë, vetëm 1 pikë përqindjeje pas zotit Trump.

Top Channel